Telegrafi

Vrasja e rëndë në Kamenicë, i caktohet një muaj paraburgim personit që dyshohet se e mbyti bashkëshorten me shufër metalike

Foto: Ilustrim

Pasditen e së shtunës, fshati Berivojcë të komunës së Kamenicës u trondit nga një ngjarje e rëndë.

Sipas Prokurorisë në Gjilan, i dyshuari N.M rreth 42 vjeç dyshohet se me shufër metalike ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, S.M 34 vjeçare.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Gjilan ka konfirmuar për Telegrafin, se të dyshuarit tashmë i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

“Seanca për caktimin e masës së paraburgimit është mbajtur gjatë ditës së djeshme, ku në bazë të kërkesës së prokurorisë, Gjykata Themelore në Gjilan të dyshuarit N.M., i ka caktuar masën e paraburgimit, në afat prej 30 ditësh”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Lexo po ashtu Vrasje e rëndë në Kamenicë, dyshohet se burri mbyti me shufër metalike gruan e tij

Poashtu, Prokuroria ka bërë të ditur se çifti kanë tre fëmijë, të cilët aktualisht janë nën mbikëqyrjen e Qendrës për Punë Sociale, ndërkaq motivet që kanë quar deri te ky rast tragjik ende nuk dihen.

“Ju njoftojmë se për rastin në fjalë motivet ende nuk dihen, ndërsa tre fëmijët e tyre ndodhen tek familja e të dyshuarit, nën mbikëqyrjen e Qendrës për Punë Sociale”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Telegrafin.

Dje, Prokuroria përmes një njoftimi kishte bërë të ditur se për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme familjare, i dyshuari N.M me dashje e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.M., ashtu që pas fjalosjes, i dyshuari me mjet të përshtatshëm – shufër metalike, e godet të ndjerën një herë në kokë, e cila rrëzohet në dysheme, mirëpo i njëjti prapë ka vazhduar ta godet me shufër disa herë në kokë dhe pjesë tjera të trupit, me ç’rast të ndjerës i ka shkaktuar plagë të cilat kanë qenë vdekjeprurëse. /Telegrafi/