Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se është duke e “verifikuar” lajmet jozyrtare që ka marrë nga Kina, që kanë të bëjnë me kërkimin e të dyshuarit për vrasjen e një polici dhe plagosjen e kolegut të tij në afërsi të Loznicës.
Sipas mediave serbe, Vuçiq ka konfirmuar se ka marrë informacion nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) për arrestimin e të dyshuarit për organizimin e transportit të vrasësit të policit nga Presheva për në Loznicë.
“Tani po i verifikoj disa lajme jozyrtare që kam marrë nga Kina, shpresoj se gjithçka do të jetë mirë”, tha Vuçiq, i pyetur nëse ka ndonjë informacion të ri për vendndodhjen e një shqiptari të Kosovës të dyshuar për krimin afër Loznicës.
Vuçiq sërish i ka shprehur ngushëllimet familjes së policit Nikolla Krsmanoviq, i cili sipas tij ka mbetur i vrarë në një “sulm terrorist”.
“Ne mund të ndihmojmë familjen, por nuk mund ta kthejmë atë jetë të re”, tha Vuçiq.
Në Lloznicë – qytetin perëndimor në Serbi, në kufi me Bosnje e Hercegovinën – në orët e para të së enjtes u vra një polic serb, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.
Policia serbe është në kërkim të sulmuesit.
Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajrizit – i lindur më 1991 – dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.
Por, Daçiq tha se po vërtetohen faktet nëse personi të cilit i kanë mbetur dokumentet në veturë është realisht vëllai i Artan Hajrizit, i cili është arratisur nga një burg në Kosovë.
“Është e mundur që ky është një identitet i rremë”, tha Daçiq.
Më herët gjatë ditës, Artan Hajrizi deklaroi se gjendet në Gjermani dhe se i vëllai, Fatoni, ia ka vjedhur pasaportën e tij. /Telegrafi/