Babai i një prej amerikanëve të vrarë në një masakër të përgjakshme nga kartelet meksikane pretendon se ata i vranë edhe dy të afërmit e tij në vitin 2009.
Nëntë anëtarë të familjes LeBaron u masakruan në shtetin kufitar meksikan të Sonora të hënën ndërsa udhëtonin në një kolonë nga vendbanimi fetar Mormon La Mora, ku ata jetuan.
Dhe sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, babai zemërthyer Adrián LeBaron tani ka zbuluar se dy nga nipërit e tij u vranë gjithashtu 10 vjet më parë.
Vajza e tij Rhonita Maria LeBaron dhe katër nipër e mbesa, përfshirë binjakët gjashtë muajsh, u qëlluan për vdekje në sulmin e fundit.
Gjithashtu nënat Dawna Langford dhe Christina Langford Johnson u vranë, së bashku me dy djemtë e zonjës Langford, të moshës tre dhe 11 vjeç.
Siç bëhet e ditur, nipi i z. LeBaron, Eric, u rrëmbye nga anëtarët e kartelit në vitin 2009, megjithëse ai u la i lirë pasi familja refuzoi të paguante një shpërblim prej 1 milion dollarë.
Dy nipërit e tjerë, Benjamin dhe Luis, u vranë muaj më vonë pasi Benjamin foli për rrëmbimin e Eric – dhe Luis u përpoq ta mbronte vëllanë e tij nga banda.
Në këtë drejtim, z. LeBaron i tha Mail Online se kartelet ‘vranë njerëz të pafajshëm për t’ua mësuar frikën’.
Ai shtoi: “Nuk është një sulm kundër komunitetit tonë. Ata dërguan një mesazh”.
Ndërsa një i afërm i Julian LeBaron, e quajti incidentin një masakër dhe tha se disa familjarë u dogjën të gjallë.
Në një mesazh me tekst për Reuters ai shkroi se katër djem, dy vajza dhe tre gra u vranë.
Disa fëmijë që ikën nga sulmi u humbën për orë të tëra në fshat para se të gjendeshin, tha ai.
Ai shtoi se ishte e paqartë kush e kreu sulmin, megjithëse qeveria meksikane beson se kartelet e drogës ishin përgjegjës. /Telegrafi/