Telegrafi

Vrasja e Lulzim Fejzullahut, edhe në rigjykim, njëri i mitur dënohet me 10 vjet burgim e tjetri me 9

Gjykata Themelore në Prishtinë, edhe në rigjykim të miturin e parë e ka dënuar me 10 vjet burgim kurse të miturin e dytë me 9 vjet burgim për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur njofton se i mituri i parë është shpallë fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dhjetë vjet për veprën penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

I mituri i dytë është shpallë fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej nëntë vjet për veprën penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Në njoftimin për media thuhet se të miturve në bazë të nenit 366 paragrafi 1, nën paragrafi 3 të KPPRK-së iu vazhdohet masa e paraburgimit, derisa aktgjykimi të marrë formë të prerë.

Përfaqësuesi ligjor dhe përfaqësuesi i autorizuar i viktimës, për realizmin e kërkesës pasuror juridike udhëzohen në kontest civil.

Palët e pakënaqura kanë të drejt ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/