Vrasja e shtetases Luljeta Preza te ura e “Dajlanit” në Durrës, ka zbuluar dhe një rast tjetër të shfrytëzimit të prostitucionit.
Pas procedimit në gjendje të lirë për “Moskallëzim krimi” të një 15-vjeçarje e cila ishte e pranishme kur Preza u masakrua me thikë nga shtetasit Aldo Ibrahimi dhe Ylli Grabovari, kjo e fundit ka rrëfyer përballë hetuesve se shfrytëzohej për prostitucion nga bashkëjetuesi i saj.
Pas dëshmisë së të miturës policia e Durrësit arrestoi në flagrancë shtetasin E. P., 24 vjeç, banues në Durrës.
Ndërkohë që materialet procedurale në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
“Në vijim të hetimeve të thelluara të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të proceduar penalisht për vrasjen e shtetases L. P., 32 vjeçe, trupi i së cilës u gjet poshtë urës së Dajlanit, më datë 02.08.2023, rreth orës 10:35, ju bëjmë me dije se:
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin E. P., 24 vjeç, banues në Durrës, pasi më datë 02.08.2023, ka kallëzuar shtetasja 15 vjeçe, e proceduar në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, ditën e djeshme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Deluzion”, se gjatë kohës që ka bashkëjetuar me shtetasin E. P., ky i fundit e ka shfrytëzuar për prostitucion”, njofton policia.
Autorët e dyshuar që janë arrestuar nga policia, shtetasit Aldo Ibrahimi dhe Ylli Grabovari, dyshohet se e kanë qëlluar 32-vjeçaren pasi nuk iu dorëzoi lekët e përfituara nga aktiviteti i prostitucionit.
32-vjeçarja kishte pësuar një aksident pasi ishte përplasur nga një makinë dhe paratë e nxjerra nga aktiviteti i prostitucionit, i kishte shpenzuar për të marrë mjekim.
Autorët dhe viktima kishte konsumuar kokainë pikërisht poshtë “Urës së Dajlanit” në vendin ku u gjet trupi i pajetë dhe e gjithë skena është parë nga tre vajza, njëra prej tyre 15 vjeçe.