Në ditën kur është varrosur Liridona Ademaj-Murseli e vrarë të mërkurën mbrëma në Prishtinë, janë arrestuar tre persona të dyshuar për kryerjen e krimit, ndër ta edhe bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, i cili ka pranuar se ka paguar për vrasjen e Liridonës.
30-vjeçarja Liridona Murseli u privua nga jeta derisa ishte në veturë me bashkëshortin e saj, Naim Murseli, dhe dy fëmijët. Ngjarja tragjike ndodhi të mërkurën, 29 nëntor, rreth orës 20:20 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Familja Murseli, sipas deklaratës së kryefamiljarit Naimi Murseli, dyshohet se u përball fillimisht me disa grabitës, të cilët ua morën gjësendet me vlerë dhe pas të shtënave me armë zjarri, lanë të vdekur 30-vjeçaren.
Ndërsa, Naim Murseli bashkë me fëmijët kishin arritur që të largohen nga vetura.
Liridona, e cila ishte viktimë e kësaj tragjedie, u varros këtë të premte në Cërmjan të Gjakovës.
Po në këtë ditë u arrestuan tre të dyshuar për vrasjen e Liridonës, bashkëshorti i viktimës Naim Murseli dhe personi që dyshohet se ia mori jetën G.P (Granit Plava) dhe një tjetër i përfshirë në vrasje, që është pjesëtar i FSK-së.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve ka thënë se do të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore.
“Prokuroria në koordinim me policinë po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast, thuhet në njoftim.
Sipas raportimeve në media, autori që dyshohet se ka kryer vrasjen, e ka pranuar në polici veprën dhe ka thënë se është paguar nga Naim Murseli për të kryer krimin.
Bazuar në këto raportime, edhe vetë Murseli e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen e bashkëshortes së tij te i dyshuari G.P.
Dyshohet se Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës.
Naim Murseli dhe autori i dyshuar janë bashkëfshatarë.
Ndërkaq i arrestuari i tretë, Kushtrim Kokalla, është pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës.
“Organet e drejtësisë janë duke hetuar rastin, por gjithashtu ky rast do të trajtohet edhe brenda organeve përgjegjëse të FSK-së, sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi. Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së viktimës. Siguria dhe mbrojtja e qytetarëve tanë është obligim!”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes.
E pas arrestimit të djalit të tyre, familja Murseli ka anuluar të pamën për Liridonën.
Shaban Murseli, babai i Naimit, ka njoftuar se e pamja është anuluar “për shkaqe familjare”.
“Shokë dhe miq, për shkaqe familjare me keqardhje e bëjmë anulimin e të pamës. I falënderojmë gjithë pjesëmarrësit në varrim”, ka shkruar ai në Facebook.
Lidhur me rastin ka reaguar Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), duke shprehur shqetësim që edhe një rast i vrasjes së gruas, dyshohet te jetë femicid.
RrGK-ja ka kërkuar që hetimi i këtij rasti të trajtohet me urgjencë dhe qasje të drejtë për ta zbardhur këtë tragjedi.
“RrGK kërkon nga institucionet që lënda të cilësohet si ‘Vrasje e rëndë’ dhe të dënohet konform Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin për media.
Po ashtu, është ftuar Qendra për Punë Sociale që të angazhohet për të siguruar mirëqenien e fëmijëve.
“RrGK kërkon hetim të këtij rasti deri në provën e fundit si dhe kërkon dënim maksimal ndaj të akuzuarit. Gjithashtu, RrGK do të monitorojë reagimin institucional ndaj këtij rasti dhe ndaj të gjitha rasteve të dhunës me bazë gjinore”.
“RrGK mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 048 105 800”, përfundon reagimi.
Ndërsa Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.
Haxhiu në një postim në Facebook ka thënë se kriminelët do të përballen me drejtësinë.
“Me punë intensive, angazhim dhe bashkëpunim ndërmjet policisë dhe prokurorisë, janë arrestuar dy persona të cilët dyshohen për vrasjen e gruas në Prishtinë. Njëri nga personat e arrestuar është bashkëshorti i të ndjerës Liridonës, i cili ishte përpjekur ta fshihte krimin e rëndë duke thënë që ishin cak i një grabitje”.
Për arrestimin e Naim Murselit ka reaguar kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli.
Pacolli, këshilltar i të cilit ishte Naim Murseli, derisa kreu i AKR-së ishte president i vendit, e ka cilësuar të pabesueshëm dhe të trishtueshëm kryerjen e aktit kriminal.
“Sot, fëmijët dhe familja kanë varrosur Liridonën, një vajzë dhe nënë të re e cila u vra mizorisht. Jam ende i tmerruar dhe i tronditur nga vrasja e Liridonës, të cilën e kam njohur personalisht. Sot dhe çdo ditë, lutjet dhe mendimet e mia janë me fëmijët dhe familjen e Liridonës”, ka shkruar Pacolli në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.
“I përgëzoj Policinë e Kosovës për punën e madhe dhe profesionale që po bëjnë për zbulimin e rastit. Kushdo qoftë mbrapa këtij akti të tmerrshëm dhe makabër (akt i pa parë ne traditën tonë), duhet të dalë para drejtësisë dhe të merr dënimin maksimal për këtë”, ka shkruar ai.
“Sot, dy fëmijë janë pa nënën e tyre, të cilës jeta u mor në rininë e saj. E pabesueshme dhe e trishtueshme. Jam ende i shokuar!”, ka shkuar ai.
Ndryshe, Prokuroria më herët njoftoi se janë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, ku u arrestuan të dyshuarit, si është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur për kryerjen e veprës penale. /Telegrafi/