Site icon Telegrafi

Vrasja e Liridona Ademajt, në seancë publikohen për herë të parë disa pamje

Në Gjykatë Themelore në Prishtinë po mbahet seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.

Të akuzuarit janë, Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tomë Dodaj, transmeton Telegrafi.

Gjatë seancës, u prezantuan edhe disa pamje të reja nga nata fatale, ku u vra 30 vjeçarja.

Të pranishëm janë edhe familjarët e Liridonës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë të mërkurën (15 janar 2025) ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.

Lexo po ashtu Vrasja e Liridona Ademaj, sillen në gjykatë Naim Murseli dhe të tjerët

Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.

I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin.

E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës./Telegrafi/

 

 

Exit mobile version