Gjykata Evropiane të Drejtave të Njeriut ka vendosur se çështja kundër Arben Frrokut, të dënuar për vrasjen e Komisarit të Policisë së Shtetit, Dritan Lamaj, duhet të rigjykohet.
Sipas “Strasburgut”, procesi ka pasur shkelje dhe do të duhet të rigjykohet nga drejtësia shqiptare.
Përmes avokatit të tij, Tonin Prendi, Arben Frroku kishte bërë ankim në Strasburg për disa shkelje. Më 4 shkurt, Gjykata ka publikuar vendimin, duke pranuar disa nga kërkesat e ankimuesit.
Frroku u dënua përjetë nga ish-Apeli i Krimeve, në një kohë që ishte arratisur nga vendi. Ai u arrestua më vonë në Holandë, vend që refuzoi ekstradimin e tij në Shqipëri dhe njohu dënimin e tij, duke e konvertuar në 18 vite burg.
Vrasja e komisarit ndodhi më 24 shkurt 2013. Më 29 qershor 2015, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pranoi kërkesën e prokurorisë dhe e dënoi me burgim të përjetshëm.
Më herët, në prill të po atij viti, pesë gjyqtarë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda e shpallën të pafajshëm Frrokun, duke e konsideruar të manipuluar dëshminë e të mbrojturit të drejtësisë.
Në qershor 2015, vetëm dy ditë para vendimit të Apelit, Frroku u arratis nëpërmjet Malit të Zi. Fillimisht u ndalua nga policia malazeze në kufirin me Kroacinë për arsye verifikimi, por më pas u la i lirë.
Më 6 mars 2016, ai u arrestua në Holandë, ku qëndronte i fshehur me një pasaportë greke të falsifikuar, me identitetin e Renato Tsepa. Fillimisht u ndalua për falsifikim dokumentesh, por pas verifikimeve rezultoi se ishte në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e kryekomisarit Lamaj.
Frroku kundërshtoi ekstradimin në Shqipëri, duke argumentuar se ndaj tij ishte zhvilluar një proces i padrejtë dhe se jeta e tij ishte në rrezik.