Telegrafi

Vrasja e Jamal Khashoggit, kërkohet dënimi me vdekje për pesë të dyshuarit

Prokurori publik i Arabisë Saudite po kërkon dënimin me vdekje për 5 nga 11 të dyshuar të akuzuar për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, në një rast që ka tensionuar lidhjet e mbretërisë me aleatët kryesorë perëndimorë, tha zyra e tij të enjten.

Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, zëvendësprokurori publik dhe zëdhënësi Shaalan al- Shaalan u tha gazetarëve se Khashoggi, një kritik i shquar i politikës saudite, u vra në konsullatën saudite më 2 tetor, pas një lufte, me një dozë vdekjeprurëse të injektimit dhe trupi i tij u shpërbë dhe u hoq nga ndërtesa.

Ai tha se kolumnisti i Washington Post u vra pasi “bisedimet” për kthimin e tij në mbretëri dështuan dhe se personi që urdhëroi vrasjen ishte kreu i ekipit negociator që u dërgua për të riatdhesuar Khashoggin.

Lexo po ashtu Regjistrimi që po shihet si lidhje e princit saudit me vrasjen e Khashoggit: “Tregoni shefit tuaj, misioni u krye”!

“Vendndodhja e trupit të Khashoggi mbetet e panjohur”, citohet të ketë thënë tutje ai.

Rijadi kishte ofruar shpjegime të shumta kontradiktore për zhdukjen e Khashoggi para se të thoshte se ai ishte vrarë në një operacion mashtrues, në një rast që ka shkaktuar një protestë globale, ka rrezikuar mbretërinë ndaj sanksioneve të mundshme dhe ka prishur imazhin e princit të kurorës Mohammed bin Salman.

Zyrtarët turq kanë akuzuar princin Mohammed për urdhërimin e vrasjes, ndërsa presidenti Recep Erdogan tha se vrasja ishte urdhëruar nga “nivelet më të larta” të qeverisë saudite.

Lexo po ashtu Zhdukja e gazetarit saudit, policia turke fillon kërkimet në “Pyllin e Beogradit” – dyshohet se trupi i tij mund të jetë hedhur atje! (Foto)

Ndërkohë presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka sugjeruar se përgjegjësia përfundimtare qëndron tek princi, si sundimtar de facto.

“Prokurori Publik ka kërkuar dënimin me vdekje për 5 individë të cilët janë akuzuar për urdhërimin dhe kryerjen e krimit dhe për dënimet e përshtatshme për individët e tjerë të paditur”, tha Shaalan, pa dhënë emrat e tyre.

Lexo po ashtu "Më largoni qesen nga koka, po mbytem": Këto janë fjalët e fundit të Jamal Khashoggit, thotë gazetari turk

Ai tha se 11 prej 21 të dyshuarve janë akuzuar dhe se rastet e tyre do t’i referohen gjykatës, ndërsa hetimi me të dyshuarit e mbetur do të vazhdojë me qëllim të përcaktimit të rolit të tyre në krim.

Lexo po ashtu Mohammad bin Salman: Ana e errët e princit të kurorës së Arabisë Saudite

Një ndalim udhëtimi është vendosur ndaj një ndihmësi të lartë të princit të kurorës, Saud al-Qahtani, ndërsa hetimet vazhdojnë mbi rolin e tij, tha Shaalan, duke shtuar se Qahtani kishte takuar ekipin e urdhëruar të riatdhesojë Kashoggi, përpara udhëtimit të tyre në Stamboll për t’i informuar ata rreth aktiviteteve të gazetarit. Qahtani tashmë është shkarkuar nga gjykata mbretërore.

Ndërsa Turqia ka thënë se ka një regjistrim lidhur me vrasjen që ka ndarë me aleatët perëndimorë. /Telegrafi/