“Hetimet janë duke vazhduar”. Këtë përgjigje po e marrin tash e sa kohë familjarët e Bedri Currit nga fshati Korreticë e Epërme e Drenasit, sa herë që pyesin në Prokurori se çfarë vërtet ndodhi me të familjarin e tyre.
Vëllai i ish-ushtarit të UÇK-së, Bujar Curri, i cili punon inspektor në komunën e Lipjanit, ka thënë përmes telefonit se ende nuk kanë ndonjë informacion të saktë nga organet e rendit, raporton KTV.
Ai ka thënë se shpreson që sa më shpejt të del në shesh e vërteta për vrasjen e të vëllait
E përgjigjen e njëjtë nga Prokuroria sikurse familja Curri, e ka marrë edhe KTV-ja.
Kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka, ka thënë se ende nuk kanë ndonjë të dyshuar lidhur me vrasjen e Bedri Currit, edhe pse janë intervistuar shumë persona lidhur me këtë rast.
Bedri Curri ishte gjetur i vrarë pasditen e 21 prillit të këtij viti në mal, afër fshatit Korreticë e Epërme të Drenasit.
Pas vdekjes së tij, ishte raportuar se ai do të ishte dëshmitar i Gjykatës Speciale.
Ndërkaq, që nga viti 2000 shumicën e kohës ai jetonte në Gjermani.
I ndjeri Bedri Curri kishte më shumë se një vit që ishte kthyer në Kosovë dhe po tentonte t’i rregullonte dokumentet për t’u pajisur me statusin e invalidit të luftës së UÇK-së.
TAULANTI_BEDRI_CURRI_0807 from Koha.net on Vimeo.