Një tjetër autor është identifikuar nga policia, i implikuar në vrasjen e ish-efektivit të policisë Roland Rexhepi në vitin 2009.
Sipas njoftimit të policisë së Elbasanit, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe partnerët vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Për këtë ngjarje janë arrestuar 4 shtetas, njëri prej të cilëve është ekstraduar nga Anglia, 2 muaj më parë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan caktoi ndaj G. B., 50 vjeç, banues në Elbasan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Shtetasi G. B., dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit A. Ll., M. T., Florind Shabani, i ekstraduar nga Gjermania dy vite më parë dhe Donald Hoxha, i cili u ekstradua nga Anglia 2 muaj më parë, kanë vrarë ish-efektivin e antidrogës në vitin 2009 në qytetin e Elbasanit.
Hoxha mësohet se nuk patur rol parësor në këtë vrasje, por janë ngritur dyshime të bazuara në prova se ishte njëri prej personave që e mbajtën nën vëzhgim.
Prokurorët e Elbasanit nga provat e mbledhura kanë gjetur një shenjë gishti të Hoxhës në furgonin e përdorur për observimin e viktimës.
Menjëherë pas vrasjes mësohet se Donald Hoxha u largua për në Angli nga ku kishte mundur të siguronte leje qëndrimi pas një martese me një shtetase të BE-së.
Strukturat hetimore të DVP Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë punën për sigurimin e provave me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë./tch/