Site icon Telegrafi

Vrasja e ish-drejtorit në SHISH, dyshohet se biznesmeni u qëllua nga lartësia

Biznesmeni dhe ish-drejtor në një nga drejtoritë e Shërbimit Informativ (SHISH) Eduard Reçi u vra rreth orës 23:00 të së mërkurës, (13 nentor 2024) poshtë pallatit ku jeton, të cilin e ka ndërtuar vet, në rrugën “Gjeneral Nikols” në Tiranë, përballë Fakultetit të Histori-Filologjisë.

52-vjeçari me origjinë nga Dibra mori një tek plumb që i përkshkroi tej për tej në kokë dhe ndërroi jetë në spitalin e Traumës rreth orës 4 të mëngjesit. Ne media ka dalë foto e biznesmenit të rrëzuar përtokë në mes të rrugicës.

Grupi hetimor ka sekuestruar kamera sigurie të bizneseve pranë, kryesisht bar kafe, por për shkak të errësirës deri më tani është parë e vështirë të kapet pamje e autorit ose autorëve. Nga mungesa e pamjeve filmike të autorëve, hetuesit po ngrenë dyshime se plumbi mund të jetë lëshuar nga lartësia, nga ndonjë objekt rreth pallateve, thonë burime nga policia.

Plumbi i gjetur në vendngjarje, nuk i con drejt dyshimeve që arma të ketë qenë snajper. Në vendngjarje nuk është gjetur gëzhojë. Grupi hetimor po punon për të hapur kamera në distancë me shpresë se mund ta identifikojë autorin/ët e dyshuar.

Por pamjet kanë fiksuar Eduard Recin teksa ecën, dhe bie në tokë pas një të shtëne, zhurma e së cilës dëgjohet edhe në disa kamera sigurie që regjistrojnë me zë.

Në pyetje janë marrë familjarët e tij, të cilët kanë mohuar që të kenë dijeni përplasje apo konflikte të Eduard Reçit me persona të tjerë. Vite më parë, burimet thonë se Reçi ka qenë në krye të një drejtorie të SHISH por autoritetet ende nuk janë orientuar drejt vrasjes për shkak të kësaj detyre që ai ka mbajtur.

Të njëjtat burime thonë se Reçi me firmën “ELGM” ka ndërtuar edhe disa pallate të tjera në Tiranë. /Telegrafi/

Exit mobile version