Telegrafi

Vrasja e George Floydt, ish-polici kërkon të hidhen poshtë akuzat ndaj tij

Ish-polici i Minneapolisit, Derek Chauvin i ka kërkuar gjykatësit që të hedhë poshtë akuzat kundër tij për vrasjen e George Floydt.

Avokati i Chauvinit tha se nuk ekziston ndonjë provë se është kryer vrasje e shkallës së dytë apo vrasje e shkallës së tretë.

Vrasja e Floydt shkaktoi protesta në të gjithë botën kundër racizmit sistematik dhe brutal të policisë, raporton CNN, transmeton Telegrafi.

Ndërkohë, prokurorët pohuan se vrasja e personit me ngjyrë ishte aq mizore, sa që do të dëshironin dënime më të rrepta se sa parashihen në shtetin federal amerikan.

Prokurorët e rastit njoftuan se do të kërkojnë “dënime më të lartë” kundër Chauvin, J. Alexander Kuengit, Thomas Kiernan Lanet dhe Tou Thaot.

Ndryshe, Floyd vdiq më 25 maj pasi Chauvin i kishte vendosur këmbën në qafë për gati tetë minuta. Tre ish-policë të tjerë akuzohen për ndihmë në vrasje. Të katër oficerët u pushuan nga puna. /Telegrafi/