Telegrafi

Vrasja e Egli Progës në Pogradec, Mjekësia Ligjore përcakton shkakun e vdekjes

I janë dashur katër javë institutit të mjekësisë ligjore që të përcaktojë dëmtimet që i kanë shkaktuar vdekjen Egli Progës, në ngjarjen e ndodhur në 12 gusht të këtij viti në qendër të qytetit të Pogradecit.

Sipas raportit përfundimtar të mjekut ligjor, i ndjeri ka marrë dëmtime të shumta në pjesën e fytyrës, shpatull dhe në gju dhe të gjitha këto dëmtime rezultojnë në anën e majtë.

Në fund të konstatimeve ekspertiza mjekoligjore ka përcaktuar se shkaku i vdekjes së 42-vjecarit Egli Proga ka ardhur si pasojë e hemorragjisë cerebrale e shkaktuar nga goditjet që ka marrë. Sipas ekspertëve këto dëmtime janë shkaktuar nga mjet i fortë mbretës siç mund të jetë edhe grushti.

Ekspertiza mjekoligjore i është dorëzuar prokurorisë së Korçës e cila në lidhje me këtë ngjarje ka të arrestuar Denis Meçen si personi i dyshuar për vrasje nga pakujdesia. I arrestuari dyshohet se ka goditur me grushte të ndjerin Proga, duke e përplasur në tokë.

Tani i takon prokurorisë së Korçës të përcaktojë dhe të detajojë të dhënat e ekspertizës mjekoligjore me dinamikën e ngjarjes nga ku do të dalë edhe përgjegjësia e të akuzuarit, dhe nëse do të konfirmohet akuza e vrasjes nga pakujdesia që është ngritur pas arrestimit të dyshuarit apo të dhënat e ekspertizës mjekoligjore do të formojnë një akuzë të re.

Në lidhje me këtë ngjarje familjarë të të ndjerit që në momentet e para pas ngjarjes kanë akuzuar policinë se ka tentuar të tjetërsojë rrethanat e ngjarjes dhe më pas edhe prokurorinë dhe gjykatën e Korçës për vendosjen e akuzës së vrasjes nga pakujdesia.

Sipas familjarëve, Egli Proga është vrarë nga goditjet brutale të të arrestuarit Denis Meçe. Ndërsa ky i fundit pretendon se e ka goditur një herë me grusht viktimën. /Telegrafi/