Site icon Telegrafi

Vrasja e dyfishtë në Gradicë të Drenasit, Supremja e ndryshon dënimin nga burgim i përjetshëm në 35 vjet burgim

Gjykata Supreme e Kosovës më 03.12.2024 ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës së Prishtinës  dhe atë të Gjykatës së Apelit  në rastin e të pandehurit Xhafer Bardhi, i akuzuar për vrasjen e dyfishtë në Gradicë të Drenasit.

Gjykata themelore dhe ajo e Apelit, Bardhin e kishin dënuar me burgim të përjetshëm.

Por, Gjykata Supreme e ka ndryshuar dënimin nga dënim me burgim të përjetshëm në dënim me 35 vjet burgim.

Po ashtu, Gjykata Supreme ka hedhur poshtë pretendimet e mbrojtjes së Xhafer Bardhit se vrasjen e kishte  kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore, duke u bazuar në faktin se i njëjti më 25.11.2021 kishte deklaruar se “tanat i kam përbi, por kur ma ka kapë armën ajo vetë ka kërsitë”, në pyetjen se a ishte ndjerë i shqetësuar.

Gjykata Supreme tutje ka gjetur se Gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë kanë konstatuar gabimisht se ishte rrezikuar edhe jeta e personave të tjerë kur kishte ndodhur vrasja e dyfishtë.

“Kjo Gjykatë gjen se me rastin e gjuajtjes me armë nuk është rrezikuar edhe jeta e të dëmtuarve të tjerë ashtu siç kanë konstatuar dy gjykatat”- thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

Tutje, Gjykata Supreme ka ardhur në konstatim se me vetë faktin se është shtënë dy herë duke e ditur se në mesin e të dëmtuarve ka edhe fëmijë është pajtuar me pasojat eventuale, duke ardhur në përfundim se në këtë rast kemi të bëjmë me dashje eventuale, në rastin ku Prokuroria ka konstatuar se nga këto gjuajtje është rrezikuar edhe jeta e personave të tjerë.

“Kjo Gjykatë gjen se i dënuari ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, pra vepra është kryer ashtu që njëra nga viktimat ka qenë fëmijë, fakt ky i cili nuk është kontestues dhe me dashje ka kryer dy vrasje, por kjo Gjykatë gjen se me rastin e gjuajtjes me armë nuk është rrezikuar edhe jeta e të dëmtuarve të tjerë ashtu siç kanë konstatuar dy gjykatat”- thuhet në arsyetimin  e Gjykatës Supreme.

Në gjetjet e Gjykatës Supreme thuhet se është dashur të vërtetohet se i dënuari me dashje ka rrezikuar edhe jetën e personave të tjerë e çka në rastin konkret nga gjykatat e dy instancave të tjera nuk është vërtetuar.

“Vetëm fakti se të dëmtuarit kanë qenë prezentë në vendin e ngjarjes nuk mjafton që të konstatohet se kanë qenë të rrezikuar, për më tepër, të njëjtit vetë kanë deklaruar se të shtënat kanë qenë të drejtuara nga të ndjerit dhe jo nga ata”- thuhet tutje në arsyetimin e Gjykatës Supreme.

Gjykata Supreme ka gjetur se Gjykata e shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë rrethanat rënduese të cilat i kanë gjetur nuk kanë mundur të kenë ndikim aq të theksuar për t’i shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm të dënuarit.

“Fakti se viktima ka qenë e moshës së re është element cilësues i veprës penale për të cilën i dënuari është shpallur fajtor”- thuhet tutje në arsyetimin e Supremes.

Gjykata Supreme ka gjetur vërejtje në rrethanat rënduese (të reja të Gjykatës së Apelit), e cila kishte konsideruar si rrethana rënduese vendin dhe kohën e kryerjes së veprës penale.

“Nuk mund të ketë rrethana rënduese, për më tepër vetë të dëmtuarit dhe të ndjerit janë vënë në pozitë të tillë me vetë faktin se edhe pse e kanë ditë se mali ku po shkojnë nuk është pronë e tyre (për gjykatën nuk është me peshë se mali i kujt ishte), pra kanë rrezikuar që në orët e vona të kapen nga pronaret e vërtetë-cilëtdo qofshin ata, dhe të gjenden në situatë kur mund të rrezikohet jeta apo shëndeti. Pra, të dëmtuarit i kanë kontribuar faktit se janë gjetur në një situatë të tillë, çka nuk e arsyeton pasojën e cila ka ardhur pas fjalosjes me të dënuarin”- thuhet në arsyetimin e Gjykatës Supreme.

Gjykata Supreme në fund kë thënë se në rastin konkret është shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm edhe pse nuk janë plotësuar kushtet për një dënim të tillë, duke u shkelur ligji penal në dëm të të dënuarit.

Në dënim sipas Gjykatës Supreme të dënuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 06.04.2021, ndërsa për pjesën tjetër aktgjykimi nuk është ndryshuar nga Gjykata Supreme.

Ndryshe, më 15.08.2024 ishte mbajtur seanca në Gjykatën Supreme lidhur me ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Xhafer Bardhi, avokatit Haxhi Millaku.

Ky aktgjykim është shpallur nga kolegji i përbërë nga Mejreme Memaj (kryetare) dhe Valdete Daka dhe Rasim Rasimi (anëtarë).

Kujtojmë se Gjykata e Apelit më 13.03.2024 e ka vërtetuar aktgjykimin e shpallur nga Gjykata e Prishtinës duke konfirmuar se Xhafer Bardhi, i akuzuar për vrasjen e B.M. dhe djalit të tij, do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm.

Njëkohësisht Apeli ka konfirmuar se djali i Xhafer Bardhit, i akuzuar nga Prokuroria për bashkëkryerje në vrasje të rëndë, Amir Bardhi, në mungesë të provave do të lirohet.

Përmes njoftimit të shpallur në ueb-faqe, Gjykata e Apelit ka bërë të ditur se e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë së Prishtinës dhe ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Xhafer Bardhi.

Apeli po ashtu e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e familjares së viktimave, të dëmtuarës S. M. lidhur me pjesën liruese.

Kolegji i Gjykatës së Apelit, i përbërë nga Hashim Çollaku – kryetar, Xhevdet Abazi dhe Zyhdi Haziri, anëtarë, ka konstatuar se Gjykata e shkallës së parë gjendjen faktike në këtë çështje penale e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Andaj, në njoftim thuhet se duke marrë parasysh të lartshënuarat dhe detaje të tjera të precizuara në aktgjykim është vlerësuar se konkludimi i Gjykatës së shkallës së parë se i akuzuari Xhafer Bardhi është kryerësi i veprës penale të cekur më sipër është i drejtë dhe se në mënyrë të padyshimtë është vërtetuar.

I njëjti ka ndërmarrë veprimet inkriminuese të cilat përbëjnë tiparet e veprës penale, për të cilën i akuzuari edhe është shpallur fajtor dhe është gjykuar, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Ndërsa sa i përket të akuzuarit Amir Bardhi, kolegji i gjykues ka potencuar se me të drejtë është konstatuar se me provat e proceduara në seancën e shqyrtimit gjyqësor nuk mund të vërtetohet se i njëjti ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Me aktgjykimin e datës 09.10.2023 Gjykata e Prishtinës kishte shpallur fajtor Xhafer Bardhin duke e dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dyfishtë të B. M. dhe djalit të tij 15-vjeçar në një pyll në fshatin Gradicë të Drenasit. Ndërsa djalin e Xhaferit Bardhit, Amirin, Gjykata e kishte shpallur të pafajshëm duke e liruar në mungesë të provave.

Ky vendim ishte marrë nga trupi gjykues me kryetar Agim Kuçi, anëtarët Medie Bytyqi dhe Ngadhnjim Arrni.

Prokuroria i akuzon të pandehurit se vrasjen e kanë kryer në bashkëkryerje dhe për motive pronësore pas një mosmarrëveshjeje paraprake.

Dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO, për shkak të një mosmarrëveshjeje pronësore më 05.04.2021, rreth orës 20:00, në fshatin Gradicë të Drenasit, të pandehurit Xhafer dhe Amir Bardhi kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë privuar nga jeta B. M. dhe djalin e tij 15-vjeçar, si dhe kishin vënë në rrezik jetën e të tjerëve V.M., V.M., dhe D. M.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Amir Bardhi kishte qenë duke ecur në pyll me djalin e axhës dhe rrugës kishin takuar të dëmtuarin V. M. dhe të njëjtin i akuzuari e kishte pyetur se: “Çka jeni duke bërë?”, ndërsa i dëmtuari V. M. i kishte thënë se “jemi duke prerë dru në mal”.

Tutje thuhet se Amir Bardhi dhe dëshmitari janë larguar nga aty, se Amir Bardhi ka pritur në rrugën e cila të dërgon deri te vendi ku ka ndodhur ngjarja, ndërsa dëshmitari është larguar drejt shtëpisë së tij.

Tutje në aktakuzë thuhet që Amir Bardhi e ka thirrur në telefon Xhafer Bardhin dhe ky i fundit e ka marrë armën dhe me veturë ka shkuar deri te vendi i ngjarjes. Me të arritur te vendi ka shtënë me armë drejt të dëmtuarve dhe ka goditur 15-vjeçarin, në atë moment në ndihmë i ka dalë i ati dhe të dëmtuarit e tjerë. Pastaj i akuzuari ka gjuajtur përsëri me armë dhe ka goditur në kokë B.M., i njëjti ka ndërruar jetë dhjetë ditë më vonë.

Me këto veprime të akuzuarit sipas aktakuzës kanë kryer veprat penale bashkëkryerje në vrasje të rëndë, ndërsa Xhafer Bardhi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Exit mobile version