Site icon Telegrafi

Vrasja e çiftit në Prizren, Prokuroria në kërkim të djalit të viktimave

Qyteti i Prizrenit dy ditë më parë u trondit nga një vrasje e dyfishtë që ndodhi në lagjen “Ortakoll”, ku të vdekur mbetën burrë e grua.

D.H dhe S.H kishin ardhur për pushime në Kosovë, por mëngjesi i së mërkurës doli të jetë tragjik për ta.

Ata u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre, ndërkaq nga dyshimet e para nga vendi i ngjarjes u tha se çifti është vrarë me armë zjarri, pasi aty u gjet arma e cila dyshohet të jetë përdorur, dhe e njëjta u konfiskua nga policia.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore e Prizrenit në një përgjigje për Telegrafin kanë thënë se janë në kërkim të djalit të çiftit, i cili në ditën kritike nuk ka qenë prezent.

Lexo po ashtu Vriten me armë zjarri burrë dhe grua në Prizren

“Prokuroria Themelore në Prizren, ju konfirmon se, viktimat kanë qenë duke jetuar së bashku me djalin e tyre të vogël A.H, i moshës 35 vjeçare, i cili në ditën kritike nuk është gjetur në shtëpi”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

A.H sipas Prokurorisë dyshohet se ka kaluar kufirin me Maqedoninë e Veriut dhe pastaj ka vajtur në Greqi.

“Në bazë të informatave të sigurara nga ana e policisë, dyshohet se i njëjti ka kaluar kufirin me Maqedoninë e Veriut dhe pastaj ka vajtur në Greqi.

Prokuroria është në kërkim të personit në fjalë dhe në momentin që organet e ndjekjes arrijnë ta sigurojnë prezencën e tij, atëherë do të veprojë konform dispozitave ligjore deri në vërtetimin e plotë të gjendjes faktike dhe sqarimit të të gjitha rrethanave të cilat janë relevante mbi zbardhjen e këtij rasti”, ka sqaruar Prokuroria.

Dy viktimat D.H., dhe S.H., kishin ardhur në Kosovë me datë 20 janar nga Suedia. /Telegrafi/

Exit mobile version