Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka vazhduar dhënia e mbrojtjes së të akuzuarit Nexhat Vllasaliu, i cili bashkë me vëllain e tij, Jetonin akuzohen për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi në vitin 2021, për shkak të përvetësimit të dobisë pasurore.
Seanca e sotme gjyqësore vazhdoi me pyetjet e mbrojtësit të palës së dëmtuar, Besnik Berisha karshi të akuzuarit, Nexhat Vllasaliu.
Avokati i palës së dëmtuar, Besnik Berisha ka vazhduar të ballafaqojë të akuzuarin Nexhat Vllasaliu me deklaratën e dhënë në Prokurori, ku sipas Berishës i akuzuari ka deklaruar se kanë shkuar në fshatin Vllasali së bashku me Jetonin dhe atë në shtëpinë e tij, duke i kërkuar të deklarojë se cili është versioni i vërtetë.
“Në seancën e kaluar keni deklaruar se keni prova që më datën 9 keni marrë skele në Vllasali. A i ke marrë skelet kur ke shkuar bashkë me Jetonin apo enkas?”, tha Berisha. “Jo, jo vetë kam shkuar”, tha Vllasaliu.
“Me Jetonin më datën 9 në Vllasali, a mund të na tregosh pse shkove, çka more, dhe sa qëndrove”, ka pyetur Berisha. “Nuk kam shkuar me Jetonin, vetë kam shkuar, kam marrë skelet dhe jam kthyer”, tha Vllasaliu.
“Po thua që s’ke shkuar hiq me Jetonin më datën 9 në Vllasali… Në seancën e kaluar ua kam lexuar deklarimin tuaj në prokurori, ku ju keni deklaruar se unë u zgjova herët, ia qita vetes një kafe, dola në tarracë, aty me pa Jetonin dhe më tha qenke çuar a, i thash po, më tha ku je duke shkuar, i tregova se do të shkoj në fshat m’i marrë disa skele, ai më tha vij edhe unë, kah të kthehem e marr gruan. Kjo përgjigje është dhënë për datën 9, një natë pasi ju thoni se keni shkuar me marr Jetonin te Janjeva. A mund të na tregosh, pse atëherë e ke përshkruar se më datën 9 e ke përshkruar se ke shkuar bashkë me Jetonin në Vllasali, ke përmend edhe skelet, dhe tash po e ndërron, po thua ke shkuar vetë”, ka pyetur Berisha.
“Këtë sqarim ta dhashë javën e kaluar, s’kam tjetër çka shtoj…Nuk kam shkuar me Jetonin, kam shkuar vetë, me Jetonin më datën 13 mos gabofsha jam takuar, ka qenë me shikuar disa vila, më shumë nuk di. Jam takuar te shkolla ku marrim ne ujë, orën nuk e di”, u përgjigj Vllasaliu.
Berisha më pas ka pyetur Vllasaliun rreth deklarimeve të dhëna në hetime, e të cilat i ka ndryshuar në gjykim.
“Në polici nuk më ka pyetur askush për Jetonin me çka ka ardhur, apo ke qenë me marrë. Në prokurori, prokurori me ka thënë ke shkuar me Jetonin me marrë kufomën dhe e keni fsheh në mal. Mua më është konfiskuar vetura për atë arsyeje. Pas një kohë e kanë liruar veturën, se nuk ka asgjë. S’është e vërtetë, kur më kanë thirr hetuesia, ka qenë mbrëmje. A mundësh me na hap derën në fshatin Vllasali. Thash është vonë, por nëse e keni urgjent thyen derën, unë po ua jap lejen. Tha duhet të vish, thash po vij, jo mos hajde, por hajde nesër. Kam shkuar, e kemi hapur derën, është dashur të hiqen disa mobilie prej korridorit për të vazhduar në katin e tretë. Prej Prishtinës i kemi çuar në Vllasali disa mobilie. E kanë kryer punën e vet, jemi përshëndetur, ata kanë vazhduar, unë jam kthyer. Pas pak ditëve e njëjta, është kontrolluar shtëpia edhe njëherë, me prezencën time. Pas një kohë ka ardhur edhe prokurori i shtetit. Kanë ardhur ekspertiza me prokurorin, ka qenë edhe një femër, më kanë thirrur në telefon, e kanë bërë ekspertizën e shtëpisë, më pas unë jam arrestuar”, ka deklaruar Vllasaliu.
Berisha ka pyetur më pas të pandehurin nëse janë njohur ndonjëherë me të ndjerin Bedri Rexhepin.
“Kam deklaruar se kurrë në jetë s’e kam njohur, s’e kam parë, garantoj me jetë. Nëse veç një njeri thotë se Nexhati e ka parë Bedri Rexhepin, garantoj me jetë…Nuk e di në çfarë kohe ka shkuar Jetoni, as me kë ka shkuar. Unë ka qenë në shtëpi timen”, tha Vllasaliu. Berisha: Ju për Bedri Rexhepin keni deklaruar se kurrë nuk keni dëgjuar për të. Në pyetjen e prokurorit, në faqen pesë, a ka qenë viktima ndonjëherë në shtëpi të vëllait dhe a e keni njohur të paktën si fizionomi, ju jeni përgjigjur, jo por kam dëgjuar nga familja, për cilën viktimë e ke pas fjalën këtu?” Vllasaliu: Për kurrfarë viktime, nuk jam njeri që bëj viktima. Avokat kurrfarë nuk kam pasur, s’u përmend kurrë viktima në shtëpinë time. Bedri Rexhepi është përmend kur ka dalë në gazeta, më ka interesuar shumë me ditë për të, tha Vllasaliu. Berisha: Aq shumë të ka interesuar Bedri Rexhepi, saqë kur e takon vëllain tuaj në mal në Vllasali, në kërkim të kufomës së tij, vëllai juaj ju pyet a është larg, dhe ju pyet pikërisht rreth vendit ku ia kishe ndërruar vendin kufomës për mos me gjet të tjerë. A ki shpjegim për këtë, a është larg?” Vllasaliu: Fakt që s’kam pasur lidhje”.
Kryetarja e trupit gjykues Medie Bytyqi tha se seanca e radhës mbahet më datën 3 prill, duke filluar nga ora 13:15.
Seanca e kaluar për këtë rast ishte ndërprerë për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të kryetares së trupit gjykues, Medie Bytyqit.
Në tetor 2022, Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliu për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, raporton KP, njofton Telegrafi.