Ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj portugezi Ruben Saraiva mbërriti sot në Shqipëri.
Portugezi ka qëndruar që prej majit i burgosur në Marok, ndërsa gjatë ekstradimit është shoqëruar nga një skuadër e policisë shqiptare, sipas burimeve të gazetares Dorjana Bezat.
Mbërritja e tij në Shqipëri shihet shumë me vlerë për hetimin pasi do të hedhë dritë mbi mekanizmat që ka përdorur ky grup kriminal me 3 kombësi për vrasjen e biznesmenit.
Porositës dyshohet se është Edmond Haxhia, i cili kërkonte vrasjen e Nikulajt për hakmarrje.
Nikulaj u ekzekutua në prill të këtij viti teksa po qëndronte ulur brenda biznesit të tij, kur portugezi me skafandër hyri dhe qëlloi disa herë me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend. Pas ngjarjes, anglezët që ishin në rolin e vëzhguesit u larguan nga Rinasi dhe ndërsa ekzekutori Ruben Saraiva në rrugë tokësore shkoi fillimisht në Greqi, me pas në Maltë dhe destinacioni final ishte Maroku ku dhe u arrestua.
Vrasja e Nikulajt pasoi ngjarje të tjera kriminale të cilat janë ende pa autor. Në korrik të këtij viti në Balldre të Lezhës u ekzekutua Nikolin Lekstakaj, ndërsa më 4 dhjetor u ekzekutua me breshëri plumbash Etjan Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardian Nikulaj, teksa po lëvizte me automjetin e tij fuoristradë ML në aksin rrugor Lezhë-Milot. Pista kryesore e hetimeve është ajo e gjakmarrjes mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj./tch/