Site icon Telegrafi

Vrasja e Agonis Tetajt: Kryeprokurori aprovon mbrojtjen e ligjshmërisë për Shaban Gogajn

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit më 04.12.2024 ka paraqitur dhe ka dorëzuar kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë në Gjykatën Themelore të Pejës dhe njëkohësisht edhe e ka dorëzuar njoftimin në Prokurorinë Themelore të Gjilanit lidhur me rastin e Shaban Gogajt, i dënuar për vrasjen e Agonis Tetajt.

Këtë për Kallxo e ka konfirmuar Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Ju informoj se me datën 19.11.2024 Prokuroria Themelore në Gjilan ka parashtruar iniciativë për mbrojtje të ligjshmërisë në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Me datën 02.12.2024 Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit e ka aprovuar iniciativën për mbrojtje të ligjshmërisë dhe me datën 04.12.2024 ka paraqitur dhe dorëzuar kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë në Gjykatën Themelore në Pejë dhe njëkohësisht edhe e ka dorëzuar njoftimin në Prokurorinë Themelore në Gjilan”- thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Ndërkaq, Shaban Gogaj, i dënuar për vrasjen e Agonis Tetajt në vitin 2018, më 14.01.2025 kishte filluar vuajtjen e dënimit me burg.

Gjykata e Apelit ia kishte zbutur dënimin Shaban Gogajt në 6 vjet e gjysmë burg.

Këtë vendim e kishte marrë kolegji i Gjykatës së Apelit i përbërë nga Kadrie Goga-Lubishtani, Hashim Qollaku dhe Valbona Musliu-Selimaj.

Gogaj nga Gjykata Themelore e Pejës për herën e dytë ishte gjetur fajtor për vrasje nga pakujdesia dhe për armëmbajtje pa leje dhe ishte dënuar me dënim unik prej 7 vjet e gjashtë muaj.

Ndërsa me vendim të Gjykatës Supreme më 24.10.2024 ishte liruar nga masa e paraburgimit.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë, në vitin 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A.H. dhe F.Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në biznesin e të akuzuarit.

Exit mobile version