Site icon Telegrafi

Vrasja e 52-vjeçarit brenda lokalit në Ndroq, dy pistat ku po heton policia

Policia ka shpallur në kërkim Julian Gjoshin, kunati i Altin Hajrit si autor për atentatin e ndodhur pasditen e së dielës brenda në lokalin “Kështjella”, në Ndroq, në periferi të Tiranës ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi Alfred Dedja.

Gazetarja Sara Demushi raportoi se autorin ka qëlluar disa herë në drejtim të viktimës, por vetëm dy plumba kanë mundur ta kapin duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Ajo tregoi se policia po heton në dy pista; prishja e pazareve të drogës dhe zhdukja e Jan Prengës, pasi viktima ka qenë menaxher në kompleksin e Altin Hajrit në kohën kur është zhdukur Jan Prenga.

“Alfred Dedja ishte klient, ishte duke drekuar, autori është ulur në një tjetër tavolinë. Në tavolinën e autorit ka shkuar viktima dhe ka pasur një debat që ka zgjatur shumë pak, pasi është qëlluar për vdekje nga autori. Ky i fundit është larguar në drejtim të Durrësit me një mjet tip Benz ML. Pista kryesore ku po hetohet është ajo e prishjes së pazareve të drogës. Por policia po heton edhe në një pistë tjetër; viktima ka punuar si menaxher në kompleksin në pronësi të Altin Hajrit dhe kjo përkon me kohën e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës. Autori dhe viktima kishin njohje, pak ditë më parë kanë pasur një konflikt”, raportoi gazetarja. /Telegrafi/

Exit mobile version