Një rast tragjik ndodhi sot në orët e mëngjesit në veri të Mitrovicës, ku një person vrau babanë dhe vëllanë, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Mitrovicës njoftoi se rasti ka ndodhur rreth orës 5:00 -5:30 të mëngjesit në banesë, në rrugën “Krajl Petri“ në Mitrovicë – Veri.
Në njoftim thuhet se i dyshuari M.B., për motive tani për tani të panjohura ka privuar nga jeta babanë e tij M.B., dhe vëllanë binjak U.B dhe me këtë i dyshuari ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 e 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Në bazë të hetimeve të para dyshohet se viktimat janë goditur në trup me thikë”, thuhet në njoftim.
Në vendin e ngjarjes kanë dalur policia dhe prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe me urdhër të prokurorit trupat e pajetë janë dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
I dyshuari është arrestuar nga policia, dhe me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë, dhe ndaj të njëjtit brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë. /Telegrafi/