Policia e Tiranës ka gjetur motorin e djegur të autorit/ëve të vrasjes së biznesmenit Bujar Nasufi mbrëmjen e djeshme në zonën e Pallatit me Shigjeta në Tiranë.
A2 CNN njofton se motori është gjetur i shkrumbuar në zonën e Kodrës së Diellit, ndërsa tashmë është duke iu nënshtruar një ekspertize të thelluar nga drejtoria e Policisë së Tiranës.
Kujtojmë se Nasufi ishte pronar i një mobilerie dhe ekzekutimi i tij ndodhi teksa ai ishte me bashkëshorten e tij në makinë, pranë derës së shtëpisë.
Deri më tani nuk janë identifikuar autorët dhe nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë, por Policia po heton edhe për konflikte familjare, pasi dyshohet se viktima ka pasur konflikte pronësie me anëtarë të fisit të tij.
Për të identifikuar autorin, hetuesit kanë sekuestruar disa kamera sigurie përgjatë zonës. Në pamje duket autori i krimit, i cili me kapuç në kokë është munduar që të fshehë identitetin e tij.
Atentatori ka qenë duke e pritur viktimën në afërsi të banesës. Kanë qenë dy automjete, një e viktimës dhe tjetra e vëllait të tij që kanë qenë duke u afruar në banesë. Të dyja familjet jetojnë në një godinë, pallat që e kanë ndërtuar para disa vitesh.
Fillimisht në rrugicën është futur mjeti i të vëllait, ndërsa pas saj ka qenë mjeti i viktimës. Sapo ky i fundit ka dashur të parkojë në rrugë, autori është afruar dhe e ka qëlluar dhe më pas është larguar me motor.
Nga verifikimet ka rezultuar se autori ishte i kamufluar si shpërndarës picash dhe u largua me një motor të zi në drejtim të zonës së Selitës.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë-Në lidhje më ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme ku u vra me armë zjarri shtetasi B.N, ju informojmë se: Në vendin e quajtur “Kodrat e Sharrës” gjatë krehjes së zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur një motomjet të djegur, i cili dyshohet se i përket autorit.
Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore përkatëse me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Grupi hetimor po kryen veprime intensive për sekuestrimin e çdo prove që do ti shërbejë hetimit për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve.