Sirhan Sirhan, njeriu i dënuar për vrasjen e Robert Kennedy është shtruar në spital, pasi u plagos me thikë nga një tjetër i burgosur.
Sipas mediave të huaja, ngjarja ka ndodhur në burgun “Richard J Donovan” afër San Diegos.
“Oficerët reaguan menjëherë dhe gjetën një të burgosur të qëlluar me thikë. Ai u transportua në një spital jashtë institucionit për të marrë kujdesin mjekësor. Aktualisht i burgosuri ndodhet në gjendje të qëndrueshme”, thuhet në deklaratën e bërë publike nga autoritetet.
Mirëpo, policia nuk bëri të ditur emrin e personit të plagosur. Një burim konfirmoi për “Associated Press” se viktima ishte Sirhan Sirhan.
Sirhan u dënua për vrasjen e Robert Kennedy më 6 qershor 1968 në hotelin “Ambasador” në Los Angeles, menjëherë pasi senatori i Nju Jorkut, vëllai i presidentit të vrarë John F Kennedy shpalli fitoren në zgjedhjet brenda partisë në Kaliforni.
Sirhan ka thënë se ai qëlloi Kennedy-n, sepse u zhgënjye nga mbështetja e tij për Izraelin.
Ai u dënua me vdekje, por dënimi u ndryshua në burg të përjetshëm pasi Kalifornia e kishte ndaluar dënimin me vdekje. Atij i është refuzuar lirimi me kusht 15 herë.