Vrasësi i dyfishtë shqiptar për një kohë të gjatë është duke luftuar ekstradimin nga Britania e Madhe, edhe pse e ka pranuar se ka kryer vrasje.
Saliman Barci, 41-vjeçar, pohon se është i pafajshëm dhe është duke përdorur të gjitha të gjitha ligjet e mundshme për t’i ikur kthimit në vendlindje. Në Shqipëri ai ishte dënuar për vrasjen e dy burrave.
Ai ka kaluar gati një vjet nëpër qendra të imigrimit duke luftuar kërkesën që të kthehet në Shqipëri për të vuajtur burgimin me 25 vjet, transmeton Koha.net.
Barci një-këmbësh siç e quajnë mediet në Angli i kishte rrëfyer gruas së tij për vrasjet që kishte kryer në Shqipëri.
Ajo ka pohuar se ka kryer tjera vrasje në Shqipëri ndërsa është njëri prej shqiptarëve më të frikshëm në Britani të Madhe.
Në një seancë gjyqësore të zhvilluar në vitin 2009 pa praninë e tij, ai ishte dënuar për vrasjen e dy burrave në Burrel, qytet në veri të Shqipërisë, në korrik të vitit 1997.
Sipas dokumenteve gjyqësore shqiptare, treshja e gangsterëve plaçkiti gjashtë milionë lek (rreth 40 mijë euro), por Barci dëshironte të mbante gjitha paratë, transmeton Koha.net. Ai vrau dy shokët e tij pasi së bashku shikuan filma të dhunshëm e të përgjakshëm.
Ai i iku dënimit duke ikur në Britani të Madhe. Pas arritjes ai kishte kërkuar azil si refugjatë nga Kosova, duke fituar kështu shtetësinë britanike.
Kur u pyet se si ia doli që të siguronte azilin në Britani, ai u përgjigj: “Si çdo shqiptar tjetër, ju duhej të thoshit se jeni nga Kosova”.
Zyra e Imigrimit në Britani për një kohë të gjatë ka dyshuar se azilkërkuesit kosovarë nuk ishin refugjatë të luftës, por imigrant shqiptar me identitet të rremë kosovar.
Të premten mbrëma, gruaja e Barcit, Mimoza Barci, 40-vjeçare, ka thënë se martesa e tyre ka marrë fund.
Ajo ka thënë se burri i saj vrasës, kishte humbur këmbën gjatë një aksidenti me motoçikletë në vitin 1996. Ai e kishte braktisur gruan dhe fëmijën pak javë pas vrasjeve. Ia mësyu Italisë për t’u fshehur dhe një kohë qëndroi në Gjermani.
Në vitin 2002, familja u bashkua dhe Barcit i erdhi ideja që të shkonte në Britani të Madhe si kosovar.