Site icon Telegrafi

Vrasës i veshur me uniformë ortodokse, Saviçiq i dyshuar si ekzekutues në rastin “Panda”

Davor Saviçiq, serb i lindur në Bosnjë dhe Hercegovinë, sot gjendet diku në Rusi. Ndoshta ende është pjesë e grupit paramilitar rus Wagner, në të cilin shërbimet e inteligjencës perëndimore kishin konstatuar se kishte qenë.

Mirëpo, para 23 vitesh, Saviçiq dyshohet se ka ekzekutuar gjashtë të rinj serbë në Pejë, një nga rastet më spektakolare të fabrikimit të sistemit të sigurisë së Serbisë gjatë luftës në Kosovë.

Agim Musliu, ekspert i sigurisë, ka thënë për Kosovapress se, “Davor Saviçiq, sipas banorëve të Pejës, gjatë luftës ishte pjesë e Njësisë Speciale Operative të udhëhequr nga shërbimi i fshehtë serb, të cilës i prinin Arkan dhe Legija. Se shërbimi sekret, së bashku me njësinë e Legijas janë përgjegjës, kishte shkruar edhe shtypi i kontrolluar nga pushteti i Vuçiqit – e përditshmja ‘Kurir’ në vitin 2014.”

Ai më tej ka thënë se Serbia në vend se të zbardhë këtë fabrikim, ajo vazhdon të fabrikojë dhe gënjejë për luftën e Kosovës, duke akuzuar edhe perëndimorët.

“Shiheni Vulinin, njeriun që flet kur Vuçiqi nuk dëshiron të dëgjohet diçka nga goja e tij! Ai, pa turp, ka thënë se masakra e Reçakut është e sajuar. Ata me këto gënjeshtra vazhdimisht kanë provuar që ta ndërrojnë narracionin e krimit, jo vetëm për Kosovë, por për të gjitha masakrat në ish-Jugosllavi”, ka thënë Musliu.

“Davor Saviçiqi, në profilin e tij në facebook, poston fotografi nga më të ndryshmet. Ai krenohet se është ortodoks dhe vrasës”, theksoi ai Musliu.

Në mbrëmjen e 14 dhjetorit 1998, në një kafeteri, pronar i së cilës ishte qytetari boshnjak Misad Shaboviq, gjersa po luanin me letra gjashtë të rinjtë serbë u ekzekutuan: Ivan Obradoviq (14), Vukota Gvozdenoviq (16), Svetislav Ristiq (17), Zoran Stanojeviq (17), Dragan Trifković (1q) dhe Ivan Radeviq (25).

Organet e sigurisë së bashku me makinerinë propagandistike serbe të kohës, e fajësuan UÇK-në për sulmin. E gjithë bota u alarmua për këtë vrasje. Menjëherë, ditët në vijim u arrestuan, torturuan dhe burgosën dhjetëra shqiptarë nga Peja. Disa prej tyre u dënuan dhe vuajtën në burgjet serbe deri një kohë pas çlirimit të Kosovës: Behar Bajri, Gazmend Bajrami, Xhevdet Bajrami, Agron Kollçaku, Vllaznim Pergjegjaj dhe Beqir Loxha. Më i riu ishte 17 vjeç ndërsa më i madh ishte 22 vjeç.

Torturat mbi të burgosurit shqiptarë, të cilëve iu ishte mveshur vrasja ishin makabre. Behar Bajrin e kishin detyruar të hante sapun, i kishin hedhur kripë në plagët e shkaktuara nga torturat. Ai edhe sot vuan nga sëmundje psikike nga torturat.

Vet presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kishte deklaruar disa herë që masakrën “Panda” nuk e kishin kryer shqiptarët, duke pranuar se ky ishte një fabrikim i madh. Mirëpo, asnjëherë nuk u ngrit ndonjë aktakuzë dhe as nuk u tha më shumë.

Davor Saviçiqit, siç u mor vesh më pas, në Messenger të profilit të tij në Facebook, i kishte shkruar një gazetare serbe, e cila i kishte thënë, se kishte informata, se pushteti i Vuçiqit po përgatitej që t’ia ngriste akuzën Saviçiqit për masakrën “Panda”. Kjo, si kundërpeshë për kërkesën amerikane ndaj Serbisë për ta zbuluar rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, të cilën kanë pasur shtetësi amerikane.

Vrasësit e të rinjve serbë në “Panda” ende nuk kanë dalë para drejtësisë, përkundër faktit se edhe në Serbi janë bërë presione nga familjarët. Nuk është thënë asgjë, as për fabrikimin dhe as nuk janë dëmshpërblyer shqiptarët që pafaj ishin torturuar e dënuar./kp/

 

Exit mobile version