Edhe këtë vit në Prishtinë do të mbahet aktiviteti humanitar “Vrapo Babadimër”, ku të gjithë pjesëmarrësit vrapojnë me kostume të babadimrit.
Mjetet e grumbulluara do të dhurohen për familjet në nevojë dhe fëmijët në repartin e hemato-onkologjisë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se aktiviteti do të mbahet më 25 dhjetor, duke filluar nga 12:00.
“Jepi buzëqeshje familjeve në nevojë, bëhu babadimër. Më 25 dhjetor, duke filluar nga ora 12:00, ju presim të gjithëve të vrapojmë së bashku me kostume të babadimrit nga sheshi “George Bush” deri tek sheshi “Skënderbeu”, për t’u kthyer më pas në pikën e nisjes”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ai tutje ka bërë të ditur se kostumet dhe numri pjesëmarrës mund të blihet çdo ditë te sheshi “Zahir Pajaziti” në shtëpizën e “Vrapo Babadimër”.
“Të gjitha mjetet e grumbulluara do të dhurohen për familjet në nevojë dhe fëmijët në repartin e hemato-onkologjisë. Faleminderit Jusuf për ftesën e dhuratën, mezi presim t’i bashkohemi iniciativës”, ka shkruar i pari i kryeqytetit. /Telegrafi/