Site icon Telegrafi

Voziste i dehur, pas ndalimit qytetari tentoi të korruptojë policin

Një 46-vjeçar është kapur në flagrancë nga Policia Rrugore e Durrësit teksa drejtonte automjetin në gjendje të dehur.

Incidenti ndodhi të dielën, gjatë kontrolleve parandaluese në rrugën “Martin Camaj”.

Sipas autoriteteve, shtetasi A. O., 46 vjeç, u ndalua nga policia pasi iu mat një nivel alkooli prej 1.26 mg/l.

Gjatë ndalimit, ai tentoi të korruptonte punonjësit e policisë duke u ofruar 4500 lekë të rinj për të shmangur arrestimin.

Në vijim të veprimeve procedurale, 46-vjeçari u arrestua për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Policia Rrugore e Durrësit apelon për zbatimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor dhe nxit qytetarët të denoncojnë çdo shkelje në numrin 112, duke garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë.

Exit mobile version