Sot (e diel) në Kosovë po mbahen Zgjedhjet Lokale 2017.
Qytetarë të shumtë kanë dalë nëpër qendra të ndryshme të votimit për të përzgjedhur të preferuarin e tyre për të qeverisur komunën, në të cilën ata jetojnë.
Vëmendjen më të madhe të votimit e marrin fytyrat publike, të cilët zgjojnë interesim të madh te publiku rreth bindjeve të tyre politike.
Në një nga qendrat e votimit, ka votuar sot edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me bashkëshorten, Lumnijen, dhe djalin e tyre, Endritin.
Ky i fundit, këtë vit ka qenë një emër mjaft i përfolur në mediat rozë për lidhjet e aluduara të tij me femra të njohura të ekranit, por që një konfirmim nuk pati asnjëherë.
I njëjti ka publikuar sot një fotografi në llogarinë personale në Instagram, ku shfaqet së bashku me nënën e tij nga qendra e votimit.
Në përshkrimin e fotografisë, Endriti ka kumtuar lajmin se ai dhe familja e tij dhanë sot votën e tyre, ndërsa ndjehet i lumtur që Kosova po ecë përpara përherë e më shumë me demokracinë.
“Sot, me familjen time votuam për zgjedhjet lokale 2017. Kosova po e përsos çdo herë e më shumë demokracinë në një klimë të mirë politike, ku qetësia dhe kultura zgjedhore bien në sy. Urime Kosovë!” (sic.), ka shkruar Endrit Thaçi në Instagram. /Telegrafi/