Presidenti në largim i Republikës, Bujar Nishani ka votuar paraditen e së dielës në shkollën “A. Z. Çajupi”.
Në prononcimin për mediat, Nishani ka ftuar qytetarët për një pjesëmarrje sa më masive, në mënyrë që të sigurojnë një të ardhme më të mirë për vete dhe familjet e tyre.
“Dua t’ju uroj shqiptarëve këtë ditë. Të jetë një ditë me pjesëmarrje sa më të madhe. Unë besoj se nëse shqiptarët vendosin që demokracia të funksionojë, ajo funksionon falë vullnetit dhe angazhimit të tyre. Sot është dita kur shqiptarët duhet ta tregojnë këtë përmes pjesëmarrjes në këto zgjedhje dhe vendimit të tyre për një të nesërme më të mirë për ta, për familjet e tyre dhe gjithë shqiptarët”, ka thënë Nishani.
Kreu i shtetit ka deklaruar se institucioni i drejtuar prej tij është i shkëputur nga infrastruktura e mbikëqyrjes së procesit zgjedhor.
“Ajo që dëshiroj unë është që qytetarët të votojnë të paintimiduar, të pakërcënuar dhe mendoj se kjo është më e mira dhe më normalja për të gjithë ne. Duhet të marrim pjesë në votime”, ka shtuar Nishani.