Site icon Telegrafi

Votimi i Qeverisë, një urim edhe nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë

Pas votimit të Qeverisë së Kosovës nga Kuvendi i Kosovës, një urim ka ardhur edhe nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.

Në urim, ndër tjerash thuhet se si një partner i gjatë i institucioneve të Kosovës, Ambasada Gjermane mezi pret të vazhdojë bashkëpunimin, duke mbështetur sundimin e ligjit në Kosovë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Urime Qeverisë së re të Kosovës për themelimin e saj në seancën e sotme të Kuvendit!

Si një partner i gjatë i institucioneve të Kosovës, Ambasada Gjermane mezi pret të vazhdojë bashkëpunimin tonë, duke mbështetur sundimin e ligjit në Kosovë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Ne inkurajojmë qeverinë e re të fillojë zbatimin e agjendës së saj ambicioze të reformës për këtë vend dhe të rifillojë dialogun me Serbinë në një proces negociues të strukturuar mirë dhe të lehtësuar nga BE.

Për të gjitha këto procese thelbësore, të brendshme dhe të jashtme, Gjermania është e gatshme të mbështesë Qeverinë e Kosovës dhe popullin e Kosovës”, thuhet në urim.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës me 66 vota për dhe 10 abstenime e votoi Qeverinë e Re të Republikës të udhëhequr nga Albin Kurti.

Të pranishëm në seancë ishin 76 deputetë, kurse para votimit, seancën e kanë braktisur deputetët e PDK-së dhe AAK-së.

Pas votimit, kabineti qeveritar ka bërë betimin solemn.

Qeveria Kurti e votuar tashmë në Kuvendin e Kosovës ka dy zëvendëskryeministra, 15 ministra dhe 33 zëvendësministra. /Telegrafi/

Exit mobile version