Site icon Telegrafi

Votimi për demarkacionin sot në orën 11:00

Ka përfunduar seanca maratonike e Kuvendit të Kosovës ku në rend dite ishte ratifikimi i Projektligjit të demarkacionit me Malin e Zi, kurse votimi për këtë dokument do të bëhet të mërkurën (sot) në orën 11:00. 

Pas mbylljes së debatit parlamentar lidhur me këtë marrëveshje kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka mbyllur seancën duke caktuar vazhdimin e saj për të mërkurën në orën 11:00, ku do të votohet për këtë Projektligj, pasi në sallë ishin të pranishëm vetëm 69 deputetë, kurse për votimin e këtij dokumenti nevojiten 2/3 e votave të 120 deputetëve të Kuvendit.

Seanca, e cila nisi të martën në orën 16:00 ka përfunduar pas rreth nëntë orë debati parlamentar, ku pothuajse të gjithë deputetët e Kuvendit shprehen mendimet e tyre rreth kësaj teme.

Lexo po ashtu Votimi i demarkacionit nuk bëhet sonte?

Pak para shpalljes së vendimit për përfundim të kësaj seance, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli është konsultuar me kryeministrin Ramush Haradinaj, shefin e GP-së të PDK-së, Memli Krasniqin,  nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e LDK-së, Kujtim Shalën, shefin e GP-së të LDK-së, Avdullah Hotin, dhe dy zv/kryeministrat Enver Hoxhaj dhe Fatmir Limajn.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar nga të gjitha grupet parlamentare që ta votojnë këtë marrëveshje.

Duke i kërkuar VV-së dhe Grupit të pavarurve që të votojnë pro demarkacionit, Haradinaj ka thënë se këtë raporti i Komisionit Shtetëror është materie e këtij vendi, që mund të jetë baza për korrigjim, ndërsa i ka lutur që ta ndihmojnë në emër të mundësisë së korrigjimit dhe të banorëve të zonës së Rugovës.

Nga 69  deputetë të pranishëm në sallë, 46 deputetë kanë votuar që seanca të mbahet të mërkurën në orën 11:00.

Kujtojmë se seancën e sotme e kanë bojkotuar deputetët e Listës Serbe, ndërkaq ka munguar edhe deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi për shkaqe shëndetësore.

Telegrafi ka raportuar më herët se nuk do të ketë votim të demarkacionit sonte pasi që mungojnë votat e duhura.

Për ratifikimin e kësaj marrëveshje nevojiten 80 vota nga 120 deputetët e Kuvendit. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version