“Asambleja Parlamentare i thotë po Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës”.
Kështu tha kryeministri Albin Kurti, pas votimit në Asamblenë Parlamentare.
Ai theksoi se faza e radhës dhe e fundit është ministeriali në muajin maj.
“Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut.
“E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut”.
“Faleminderit të gjithëve. Urime të gjithëve”, shkroi Kurti./Telegrafi/