Telegrafi

Votimi nga diaspora, Daka: Edhe qytetarët që nuk kanë pranuar telefonatë nga KQZ, mund të votojnë

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se të gjitha e-mail që janë dërguar nga diaspora janë hapur, dhe se kanë telefonuar mbi 80 mijë qytetarë në diasporë.

Daka ka thënë se pavarësisht që nuk kanë arritur të telefonojnë të gjithë votuesit, ata prapë do të kenë të drejtë të votojnë, transmeton Telegrafi.

“Të gjithë ata që kanë dokumentuar zotësinë juridike të tyre, pra kanë bashkangjitur dokumentacionet që janë verifikuar nga shërbimi i listës së votuesve, janë përfshirë në listën përfundimtare të votuesve, dhe do të kenë të drejtë të votojnë pas pak çastesh. Askujt nuk do t’i mohohet e drejta kushtetuese.  Edhe pse nuk kemi mundur t’i thërrasim të gjithë, ata prapë do të mund të votojnë”, u shpreh ajo.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i personave janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës është 102 mijë e 100.

Mbledhja e KQZ-së është duke vazhduar. /Telegrafi/