Kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza ka falënderuar deputetët e të gjitha partive të cilët sot votuan marrëveshjet ndërkombëtare.
Hamza në një postim në Facebook ka shkruar se këto marrëveshje përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve.
“Qytetarët e Kosovës meritojnë të jetojnë shumë më mirë. Sot, deputetët e të gjitha partive i votuan marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat kanë ndikim konkret në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë. I falënderoj deputetët që votuan për miratimin e këtyre marrëveshjeve. Personalisht, jam mirënjohës dhe falënderues ndaj të gjithëve”, ka shkruar Hamza.
Kryetari i Mitrovicës, tutje ka theksuar këto marrëveshje ndërkombëtare mund t’i sjellin Kosovës përfitime me miliona euro vetëm me dinamikën e punës që do ta krijojmë me qeverisjen e re.
“Kjo ka qenë gjithmonë bindja ime dhe është qëndrimi im i shprehur së fundmi edhe publikisht më 4 prill. Përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve dhe interesi i vendit, ka qenë, është dhe do të mbetet misioni im i përhershëm në politikë”, ka deklaruar Hamza. /Telegrafi/