Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, ka reaguar lidhur me pasaktësitë e shfaqura sot me të dhënat e KQZ, ku numri i votave ka dalë më i lartë se ai i votuesve që morën pjesë në zgjedhje.
Ky rezultat ka ndodhur në disa Bashki, duke hedhur hije dyshimi mbi mënyrën e procesit zgjedhor dhe atij të numërimit të votave.
Në një dalje për media, Klement Zguri ka deklaruar se shifrat e KQZ nuk janë zyrtare, ndaj dhe ka kërkuar hetim administrativ.
“Tabelat përmbledhëse duhet të përmbajnë numrin e saktë në votim, si dhe numrin e votave për çdo kandidat. Si rregull këto shifra duhet të korrespondojnë. Nëse shifrat janë kontradiktore, ky mund të jetë tregues paaftësie, por edhe tregues parregullsie. Se ç’ka ndodhur në rastin konkret kjo do të zbulohet nga hetimi.
KQZ ka dy mundësi për verifikim, zbulon dhe korrigjon gabimet, shqyrtimi i ankimimeve zgjedhore kundër rezultatit. Për këtë, duhet që subjektet zgjedhore të depozitojnë ankime. Kërkohet bashkëpunimi i subjekteve zgjedhore, që vënë në lëvizje KQZ. Ka rëndësi vënia në lëvizje e procedurës, nëse duam të kuptojmë të vërtetën e këtyre shifrave.
Saktësia e tyre është vendimtare për cilësinë e procesit të 30 qershorit, ndaj KQZ duhet t’i trajtojë me seriozitet. Kolegët e KQZ duhet të bëjnë gjithçka për të sjellë qartësi të plotë”, tha Zguri. /TCH/