Votat që Gramoz Ruçi mori një ditë më parë nga e djathta kanë shkaktuar tërmet në Partinë Demokratike. Pas qëndrimeve të disa eksponentëve në mbrëmje, Lulzim Basha thirri këtë të dielë një mbledhje urgjente të grupit demokrat.
Një deklaratë zyrtare thotë se, kush shet votën nuk do të ketë vend në grupin e PD-së.
“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike dënon me ashpërsi atë çfarë ndodhi dje me votën e opozitës në Kuvend. Erdhi si rezultat i manipulimit apo blerjes së votës, kjo do të shqyrtohet me prioritet absolut. Një gjë është e qartë, pa asnjë ekuivok: kush shet votën, nuk do të ketë vend në grupin tonë parlamentar. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike vlerëson se ky skenar i qëllimshëm u vu në veprim për të hequr vëmendjen e opinionit, nga emërimi prej Edi Ramës në krye të Kuvendit i Gramoz Ruçit, simbol i së kaluarës së përgjakur të diktaturës komuniste dhe i lidhjeve kriminale dhe trafiqeve të drogës, arsye për të cilën është përjashtuar përherë nga hyrja në SHBA”, shkruhet në komunikatën e shpërndarë nga zyra e shtypit e PD-së.