Site icon Telegrafi

​Votat e “Romani Iniciativa”, Berisha ankohet në Kushtetuese

Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese dhe tek Institucioni i Avokatit të Popullit lidhur me votat e partisë “Romani Iniciativa” në vendbanimet e komunitetit me shumicë serbe në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.

Berisha pret që Gjykata Kushtetuese të veprojë në formën më të shpejt të mundshme, pasi sipas tij, dëmet që iu janë shkaktuar komunitetit egjiptian janë të mëdha.

“Unë pres dhe besoj fuqishëm në profesionalizmin e Gjykatës Kushtetuese që përfundimisht këtë dukurin e orkestrimit dhe këtë tendencën me marrë Lista serbe shtetin e Kosovës në ‘dorë’, besoj që Gjykata Kushtetuese do ta jep fjalën e fundit”, tha ai.

Ish deputeti Berisha që po i konteston votat e deputetit Fadil Gashi nga “Romani Iniciativa”, thotë po e kundërshtojnë vendimin e Gjykatës Supreme dhe të PZAP-së, siç tha për faktin që ai vendim ka qenë i mangët, i një anshëm dhe i padrejtë ndaj egjiptianëve.

“Nëse nuk ndryshon komuna e Graçanicës ka me mbetur prapë vatra e orkestrimit të manipulimit të votave, ku pasojat prapë do të jenë të mëdha. Në momentin kur u kërkua vota për t’u votuar presidentja, deputeti i iniciativës rome erdhi në ditën e dytë, jo në ditën e parë. Sigurisht që këtu qëndron diçka mbrapa”, tha Berisha.

Ai po ashtu tha se vet fakti që iu kanë anuluar 900 vota kësaj iniciative, tregon që ka pasur orkestrim të votave, dhe për këtë iu kanë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për ta vërtetuar kushtetutshmërinë e vendimit edhe të Gjykatës Supreme.

Berisha po ashtu ka dorëzuar ankesë edhe tek Avokati i Popullit për shkak, që siç tha ai me këto veprime të institucioneve ka elemente të shkeljeve të të drejtave të njeriut që janë bërë nga PZAP dhe Gjykata Supreme./kp/

Exit mobile version