Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur sot me numërimin e fletëvotimeve të ardhura me postë nga diaspora.
Eugen Cakolli nga Institutit Demokratik të Kosovës ka publikuar listën me numrin e fletëvotimeve të cilat do të numërohen komunë për komunë, transmeton Telegrafi.
“Kjo është lista e komunave, nga të cilat janë votuesit që kanë dërguar fletëvotimet e tyre me postë, në kuadër të votimit jashtë vendit. Këto vota, në QNR, do të numërohen komunë për komunë. Megjithatë, duhet theksuar që diaspora si strukturë demografike, nuk është aq heterogjene, andaj edhe do të ishte deri diku i çuditshëm (e mbase indikativ) ndonjë rezultat fort i ndryshëm nga votat në misione diplomatike, sepse fundja, po flasim për grupin e njëjtë socio-kulturor brenda shteteve të ndryshme”. ka shkruar Cakolli në Facebook.
Nga lista e publikuar vërehet se numri më i madh i fletëvotimeve është në Prizren, gjithsej 4 mijë e 901. Pastaj, Prishtina me 4 mijë e 851 fletëvotime, Gjilani me 4 mijë e 480 fletëvotime.
Peja me 4 mijë e 362 fletëvotime dhe Gjakova me 4 mijë e 156 fletëvotime.
Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt./Telegrafi/