Site icon Telegrafi

Numërimi i votave nga diaspora, Abdixhiku: Nuk arritëm rezultatin e menduar, por jemi rritur plot 70 mijë vota

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se tashmë kur numërimi i votave nga diaspora po i afrohet fundit, është e qartë fotografia e zgjedhjeve që u mbajtën më 9 shkurt.

Ai ka falënderuar qytetarët për mbështetje dhe ka reflektuar mbi rezultatet e zgjedhjeve, duke theksuar rritjen e madhe që ka pasur partia e tij dhe duke pranuar përgjegjësinë për rezultatet që nuk ishin sipas pritshmërive.

“Tani që numërimi i votave nga mërgata po i afrohet fundit, e kemi të qartë dhe fotografinë finale të zgjedhjeve tona. Jo, nuk arritëm rezultatin e menduar. Jo, nuk ndryshuam renditjen që dukej se na ishte parapërcaktuar. Për këtë kam marrë përgjegjësinë mbi supe unë! Por, po, jemi rritur”, shkroi Abdixhiku në një postim në Facebook.

Ai theksoi se përkundër faktit që nuk arritën t’i arrinin objektivat fillestare, LDK ka regjistruar një rritje të konsiderueshme të numrit të votave dhe të deputetëve.

“Për plot 70 mijë vota! Si kurrë më parë! Për plot 7 deputetë më shumë! Prandaj kokën lartë”, shtoi ai.

Abdixhiku ka folur edhe për procesin e ringritjes, duke e  krahasuar atë me rënien, të cilën e cilësoi si të shpejtë dhe fatale, ndërsa tha se ringritja është e ngadaltë dhe kërkon shumë punë dhe angazhim.

“Rënia, ajo katastrofalja, është e shpejtë! Shpeshherë dhe fatale. Ringritja, ajo e vështira, është e ngadaltë. Kërkon punë dhe punë shumë!” theksoi Abdixhiku.

Lideri i LDK-së gjithashtu theksoi se janë tashmë një adresë e rëndësishme për 180 mijë qytetarë dhe se, përkundër vështirësive, do të vazhdojnë të ecin përpara.

“Punë e shpresë dhamë. Po bëhemi, sërish, adresë e 180 mijë qytetarëve tanë. Ecëm drejtë, ecëm mbarë. Mangu asgjë. Do të sillemi me plot dinjitet në gjithë rrugëtimin tonë përpara. LDK, si partia me rritjen më të madhe në këto zgjedhje, ka kthyer tashmë votuesin e vet. Koha të shkojmë përtej kësaj. Do të shkojmë!Dritë do të ketë!,” shkroi Abdixhiku.

Abdixhiku njoftoi se pas certifikimit të rezultateve, do të nisë një tur falënderimi në të gjithë Kosovën dhe mërgatën, për të takuar ata që e mbështetën dhe iu bashkuan thirrjes së tij për ndryshim. /Telegrafi/

 

Exit mobile version