Analisti Armend Muja, ka theksuar për Telegrafin se fushata elektorale e partive politike ka filluar disa muaj më parë. Duke i komentuar premtimet megalomane të partive politike, ai ka thënë se krejt çka qytetari (votuesi) mban mend, janë shifrat të cilat po i përmendin partitë politike.
“Duhet ta themi që qytetarët nuk janë të përgatitur intelektualisht që t’i marrin vesh premtimet e partive politike”, ka thënë Muja, duke shtuar se në mungesë të leximit të programeve të subjekteve politike, dhe mundësisë reale të realizimit të tyre, ajo çka do t’i shtyj qytetarët të votojnë është: Interesi personal, identiteti provincial dhe perceptimi i votuesit.
I pyetur rreth asaj se sa kanë arritur partitë politike t’i targetojnë të rinjtë, (grupmoshat të cilët ndoshta për herën e parë gjenden para kutisë së votimit), Muja ka thënë se në Kosovë, që nga paslufta deri më tani, janë “maturuar” rreth 370 mijë votues të rinj.
“Shumica e grupmoshave të reja ka nevojë për punë dhe perspektivë. Ata madje nuk janë të lidhur emocionalisht me të kaluarën e vendit tonë. Mendoj që ky grup njerëzish në zonat urbane është targetuar nga Lëvizja Vetëvendosje (VV), ndërsa në zonat rurale nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)”, ka thënë Muja për Telegrafin.
Ndërsa, analisti Krenar Gashi, ka thënë për Telegrafin se ditët e fushatës elektorale më shumë do të shërbejnë për t’i njoftuar qytetarët rreth procedurave të votimit sesa të shpalosen programet e partive.
Gashi, për dallim nga kolegët e tij analistë, ka theksuar se partitë politike duhet të bëjnë fushatë gjatë tërë vitit dhe jo vetëm gjatë kohës kur fillon zyrtarisht fushata.
“Partitë politike në Kosovë janë dembele, përndryshe do të duhej që të jenë gjatë gjithë kohës aktivë me analiza, premtime dhe prezantim të programeve”, ka thënë ai për Telegrafin.
Ndërsa, i pyetur rreth programeve të partive politike dhe mundësisë që qytetarët t’i kuptojnë ato, Gashi ka thënë:
“Shpeshherë nuk arrij t’i kuptoj programet e partive, për shkak se kanë paqartësi. Madje, unë konsideroj se premtimet – veçanërisht premtimet për hapjen e vendeve të punës – janë bastarduar. Nuk kemi një analizë të qartë se si do të gjenerohen këto vende të punës. Thjesht, vendet e punës janë bërë si pazar. Hapja e vendeve të reja të punës duhet të jetë pasojë e zhvillimit ekonomik, që do të thotë se zhvillimi ekonomik duhet të jetë qëllim i programeve partiake, ndërkaq partitë, hapjen e vendeve të reja të punës e kanë kthyer në qëllim”, ka thënë Gashi për Telegrafin.
Ndryshe, të mërkurën (sot) ka filluar edhe zyrtarisht fushata elektorale. /Telegrafi/