Site icon Telegrafi

Me vota unanime votohet vlefshmëria e rregullores së punës së Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 91 vota për kanë miratuar propozimin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi për vlefshmërinë e rregullores së punës së Kuvendit.

Në seancën e cila ka vazhduar nga ora 15:00, Krasniqi propozoi që deputetët të votojnë kërkesën e tij për vlefshmërinë e rregullores së punës së Kuvendit.

“Paraprakisht kemi nevojë që të ndryshojmë rendin e ditës duke shtuar një pikë të re para votimit të përbërjes të Komisioneve Parlamentare dhe propozoj që pika që duhet të votohet proceduralisht me 2/3 e deputetëve të pranishëm të jetë vazhdimi i vlefshmërisë së rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës e dhe për legjislaturën e shtatë. Meqenëse ne pak a shumë e dakorduam idenë dhe vendimin për këtë çështje dhe në mungesë të materialeve të shkruara për deputetët ky vendim nëse votohet bëhet vendim duhet ta ketë vetëm një pikë që po e lexoj.

Pra: Konfirmohet vlefshmëria e rregullores së punës së Kuvendit edhe për legjislaturën e shtatë deri në miratimin e rregullores së re të punës së Kuvendit me përjashtim të nenit 69, paragrafi 4. Paragrafi i 4 i parasheh komisionet funksionale dhe meqenëse propozimi që ka qenë i paraparë për rendin e ditës të sotëm e paraqet një numër prej 10 komisioneve dhe me emërtime të reja, ne i japim validitet rregullores së Kuvendit edhe për legjislaturën që jemi, por lëmë hapësirë që pas miratimit të këtij vendimi një vendim tjetër për komisionet të krijojë mundësinë që 14 komisionet të konstituohen menjëherë pas marrjes së këtij vendimi”, tha Krasniqi.

Pas votimit, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani theksoi se me këtë legjislatura e shtatë e Kuvendit njeh rregulloren e punës së Kuvendit të vitit 2010 me përjashtim të nenit 69 paragrafi 4 si dhe të funksionoj me 14 komisione. /Telegrafi/

Exit mobile version