Gjithë diplomatët në ambasadën serbe në Shkup, janë tërhequr mbrëmë dhe për këtë Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë është njoftuar përmes një letre.
Ambasadorja Dushanka Divjak-Tomiq dhe personeli, siç është njoftuar, mbrëmë kanë arritur në Beograd. Arsye zyrtare nga Beogradi për këtë tërheqje akoma nuk ka, ndërsa sipas Makfaks, ka të bëjë me votimin e Maqedonisë për pranimin e Kosovës në UNESCO, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas të njëjtave burime, Beogradi zyrtar ka informacione se Maqedonia do ta propozojë pranimin e Kosovës në UNESCO, më saktësisht do të propozojë këtë pikë që të vendoset në rend dite.
Të gjitha dritaret në ambasadën serbe në Shkup janë të errëta, ndërsa para saj ka edhe prani të shtuar policore. Jozyrtarisht mësohet se përveç stafit, nga ambasada janë larguar edhe pajisjet teknike dhe dokumentet tjera.
Ambasadorja Dushanka Divjak-Tomiq për agjencinë Beta, deklaroi se nuk mund ta komentojë arsyen për tërheqje dhe tha se informacione do të jep Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë./Telegrafi/