Site icon Telegrafi

Vota e të diturit dhe vota e budallait!

Ka një lloj elitarizmi midis shumë vetëve që thonë si mund të jetë e barabartë vota e një të dituri dhe e një të padituri, e një të shkolluari dhe një të pashkolluari, dhe pastaj shkon në fyerje – e një “qytetari” dhe e një “katunari” etj.

Ky është një mentalitet i gabuar që nuk pranohet nga shkencat politike bashkëkohore.

Kjo ide niset nga mendimi që ka budallenj në këtë botë, e unë mendoj se nuk ka. Edhe budallai më i madh është boll i mençur ta dijë interesin e tij.

Ajo niset nga mendimi që vota e të mençurit vlen më shumë se e atij që di më pak, e unë nuk mendoj kështu.

Sepse është gabim të nisesh nga një paragjykim sipas te cilit vlera më e madhe e njeriut është arsyeja. Unë nuk mendoj kështu, ka njerëz që kanë më të zhvilluar intuitën, ka që kanë ndjenjat, ka që kanë vlerat morale, ka qe kanë përvojën etj.

Ka njerëz të ditur, por pa moral – ata janë të rrezikshëm madje kur votojnë.

Ka njerëz të ditur, ta zëmë në biologji, por në inxhinieri janë injorantë; ose dinë filozofi, por në anatomi janë fare të paditur; janë gjuhëtarë të shkëlqyer, por në ekonomi janë zero me bisht.

Aq më shumë që kur votohet nuk është arsyeja e para që hyn në lojë, por interesat e gjithsecilit besimi si ndjenjë e gjithsecilit – përvoja e tij. Unë interesat e mia i ndjej me lëkurë; arsyeja veçse më ngatërron.

Programet e partive politike dhe platformat e tyre elektorale që hiqen sikur janë rezultate të arsyes, në fakt janë të mbushura me klishe, me stereotipa, me paragjykime të veshura me letër gjoja logjike. Nuk janë traktate shkencore, madje janë krejt mediokre nga ana e arsyetimit shkencor.

Prandaj, në filozofinë dhe në shkencat politike kjo që thonë se gjoja ata, të diturit, duan votë më të vlefshme se unë injoranti, është pesë me hiç!

 

Exit mobile version