Një miqësi disavjeçare e shoqëruar me letra mes shkrimtarit Dritëro Agolli dhe poetit arbëresh Vorea Ujko u ndërpre kur Ujko vdiq nga një aksident automobilistik në janar të vitit 1989. Duke nderuar këtë miqësi të veçantë, e bija e shkrimtarit të Dritërosë, Elona Agolli, ka publikuar një letër brilante mes dy poetëve. Është nga letrat që poeti himnizon poetin, sivëllain e tij këtej brigjeve, në një lavdërim sublim në një letër dërguar në vitin 1981. “Vorea Ujko, poet arbëresh nga Kalabria ishte për Dritëroin një mik i veçantë: Një letër, shumë përjetime…”, shkruan Elona. Letra është si më poshtë:
“I dashur Dritëro!
Unë e ndiej largësinë nga ju . Jam gjithmonë i detyrueshëm për mikpritjen vëllazërore dhe nuk di si t’ia shpërblej mëmës Shqipëri .
Po unë e di se ti je i kënaqur kur unë i shërbej atdheut . Unë jam poet si edhe Ti je poet. Po, je poet. Kam rilexuar në këto ditë “Nënë Shqipëri” e më qan shpirti dhe m’u mbush me gëzim.
Ajo është historia gjeologjike, panoramike, legjendare, heroike, filozofike, kombëtare, politike, shoqërore, popullore e gjithë Shqipërisë. E ti askurrë s’je spektator por jeton me çdo çast të kësaj historie, je i ngatërruar me çdo ngjarje dhe mishëron në vjershat dashurinë për atdheun, ndjenjën e dëshirat e njeriut shqiptar. E gjithçka janë mish e gjak . Ti je plot nerva, zemër e tru. Je i rreptë dhe i butë, krenar i përvuajtur, i përflaktë e i akullt, serioz e sarkastik, i trishtuar dhe i gëzuar. Nëse isha një romantik do të thoja engjëll e demon. Me ty Shqipëria bëhet zemra e botës.
Mes dy malesh me dëborë
Ka një trim vetullhollë
O ju korba, mos më ngani
Sytë e zez ju mos m’i hani…
Sigurisht ashtu këndonte De Rada e kjo është një raspodi e shkëlqyeshme arbëreshe.
Cila letërsi vallë e ka këtë perlë? E tashti si kritik do të doja që Dritëroi ta shpinte vëmendjen, që askurrë s’është skeptike, por përherë serioze dhe e angazhuar , rreth temave të njeriut e të jetës, rreth temave të Lorkës, Pasternakut, Nerudës, Quasimodos, Montales, etj
Do të ishte një ndërprerje mes luftës, pushimi i luftëtarit. Jam i bindur se do të fitosh çmimin Nobel. Ndryshe i vë zjarr Suedisë. Tani jam duke shkruar një kritikë mbi Dritëro Agollin, por nuk e harroj poezinë. Akoma nuk e kam lexuar as te ‘Drita’ as te ‘Nëntori’ poezinë që të kam kushtuar. Pse? Vallë s’të pëlqeu? Tuk-tuk ! Hape! Jam unë! As kamarad, as tavarish. Hape!
Jam Vorea Ujko e zemrën e kam të bardhë . Bëjani qejfin poetit. ‘Drita’ kërkon përshtypjet e mia për vendin tonë . Le t’i shkruajnë të huajt . Për mua Shqipëria është mëma e nuk shkruhen mbresa mbi mëmën. Mëma këndohet. Ti më kupton.
Asgjë akoma nga vëllezërit Kosovarë. Unë i kam shkruar Esadit por nuk kam pasur përgjigje. Falënderime për Llazar Siliqin që shkruan bukur për arbëreshët. Të fala të përzemërta Vehbiut, Fatmirit, Ismailit, Fatosit, Aleksit, partizanit Andrea, Spahiut, Ibrahim Fehmiut, Bardhylit, Nasho Jorgaqit, L. Qafëzezit etj. Kur do të takohemi? Qofsh i lumtur me familjen!
Të përqafoj, Vorea Ujko”.
***