Telegrafi

VoRAE kundër gjuhës denigruese ndaj komuniteteve rom, ashkali e egjiptian

Pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian nuk janë magjup. Magjup është një term denigrues, nënçmues dhe përbuzës për t’i ofenduar pjesëtarët e këtyre tri komuniteteve.

Kështu thuhet në një reagim të organizatës “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”.

Në këtë reagim thuhet se terme të tilla ofenduese fatkeqësisht nuk dëgjohen vetëm në rrugë, por edhe në media.

“Promovimi i të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës është i garantuar edhe me Ligjin NR. 03/L-047 në mbështetje të Kapitullit IV neni 65 pika 1 të si dhe nenit 81 pika 1 paragrafi 2, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Andaj kërkojmë nga gazetarët dhe përfaqësuesit e televizioneve që të kenë kujdes gjatë emisioneve të tyre të mos përdorin terme denigruese për grupime të veçanta në mënyrë që të mos e nxisin gjuhën e urrejtjes tek qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagimin e organizatës “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”.

“Ne si organizatë e shoqërisë civile e dënojmë këto veprime të cilat nxisin dhe përforcojnë paragjykimet e gabuara ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian dhe promovojnë gjuhën e urrejtjes ndaj këtyre komuniteteve”, thuhet më tej.