Telegrafi

‘Voodoo Love’, Ermal Meta vjen në duet me Jarabo de Palo (Video)

Kantautori shqiptar Ermal Meta, fitues i çmimit të tretë në Festivalin e këngës italiane ‘Sanremo 2017’ dhe i çmimit të kritikës “Mia Martini” sapo ka nxjerrë në tregun diskografik videoklipin e këngës së tij të re “Voodoo Love”, në duet me këngëtarin spanjoll Jarabo de Palo.

Kjo këngë është marrë nga albumi shumë i vlerësuar i tij “E ndaluar të vdesësh”, i publikuar më 2017.
Magjia e dashurisë që ndizet mes dy personave, alkimi emocionesh, spontanitet ndjenjash mbërthyer me romantizmin e detit, është “Voodoo Love” e Ermal Metës.

Titulli i kësaj kënge frymëzohet nga fjala Voodo, e huazuar nga besimi fetar afrikan Vudu, një nga më të vjetrit në botë i përdorur në zhargonin e përditshëm për të epitetizuar në mënyrë figurative magjinë e emocioneve që përfshijnë shpirtin.

Kënga e Ermal Metës vjen në duet me këngëtarin spanjoll Jarabo de Palo, një stimë reciproke që lidh dy artistët e që i ka bashkuar në këtë projekt të ri.

Jarabo De Palo u bë i njohur më vitin 1997 me këngën e tij “Dipende” duke konfirmuar këngë pas kënge e album pas albumi suksesin në tregun e diskografisë botërore.

Kantautori Ermal Meta sapo ka përfunduar turin e tij muzikor në Itali i cili pritet të vlerësohet më 28 shtator si turi muzikor i vitit 2017.

Më pas kantautori shqiptar do të nisë turin muzikor në Evropë e në Kanada me 12 tapa në qytetet Lugano, Berlin, Amsterdam, Colonia, Bruksel, Paris, Londër, Dublin, Barcelonë, Madrid, Majemi, Toronto.

Pak ditë më parë Ermal Meta u bë protagonist i një tjetër ngjarje të rëndësishme në jetën e tij. Ai mori pagëzimin apostolik të Papa Françeskut, event që e ka komentuar “se ndjehet vërtet i bekuar”. /oranews/