Ndonëse ishte paraparë që punimet për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë, të fillonin në vitin 2018, një gjë e tillë edhe nuk është bërë. Në Komunën e Prishtinës thonë se kompanisë kontraktuese i ka skaduar leja e ndërtimit, ndërsa Bashkësia Islame nuk ka dhënë një qëndrim në lidhje me këtë çështje.
Projekti për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, ka një vit që është bërë.
Gurthemeli i xhamisë është vënë në vitin 2012. Nga ajo kohë dhe deri më tani, pos gërryerjes së vendit dhe vendosjes së zhavorrit, nuk është kryer asnjë punë tjetër.
Komuna e Prishtinës një përgjigje të shkurtër për RTV Dukagjinin, ka thënë se kompania e kontraktuar posedon kushtet për ndërtimin e xhamisë, por jo edhe lejen.
Kjo pasi që leja për ndërtim e dhënë në vitin 2018, ka skaduar.
Në anën tjetër, RTV Dukagjini për disa ditë ka provuar të marr një qëndrim nga Bashkësia Islame e Kosovës, se kur priten të fillojnë punimet, por nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërtimi i xhamisë fillimisht ishte paraparë që të përfshijë një hapësirë prej rreth 50 mijë metrave katrorë. Mirëpo, për shkak të vendit të papërshtatshëm, projektit i janë larguar dy nivele të parkingut nëntokësor, gjë që pritet të ketë rreth 40 mijë metra katrorë.
Projekti parashihet të kushtojë deri në 40 milionë euro dhe është i financuar nga Bashkësia Islame Turke.
Ndërtimi i xhamisë ishte paraparë të zgjasë rreth tri vite nga koha e fillimit të realizimit të projektit./RTV Dukagjini/Telegrafi/