Telegrafi

Vonesa në miratimin e ligjeve kundër korrupsionit, amnisti për krimin

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, deklaroi sot se është e rëndësishme që projektligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së fituar me vepër penale dhe ai për Mbrojtjen e Sinjalizuesve të miratohen nga Kuvendi sa më parë që është e mundur.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, me të cilin kanë diskutuar për Pakon e Ligjeve Kundër Korrupsionit.

Sipas ministrit Tahiri, vetëm përmes konfiskimit të pasurisë së fituar nga aktiviteti kriminal, shoqëria do të ndërtojë një Kosovë në të cilën krimi i organizuar, korrupsioni dhe abuzimi nuk do të gjejnë vend.

Tahiri ka kërkuar bashkëpunim me gjithë akterët vendorë, në tejkalimin e barrierave ditore, në mënyrë që të përmirësohen politikat publike që mundësojnë efikasitet më të madh në sundimin e ligjit.

“Çdo vonesë në miratimin e ligjeve, është amnisti për krimin dhe përfitimin e paligjshëm, këtë situatë nuk duhet ta lejojmë dhe kjo është përgjegjësi e të gjithë neve” ka thënë ai.