Procesimi i rezultateve të zgjedhjeve nga 2 mijë e 547 vendvotime nga ana e KQZ-së deri më tash është bërë vetëm 98,47% e tyre.
Lidhur me vonesën e procesimit të rezultateve, në KQZ kanë deklaruar se janë duke u përpjekur që kjo të kryhet gjatë ditës.
Kështu ka deklaruar për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Numërimi ka përfunduar, mirëpo procesimi nuk është përmbyllur për më pak se 2% të vendvotimeve. Po punojmë që kjo të bëhet gjatë ditës. Ju lutem, nuk duhet ngatërruar numërimin me procesimin e të dhënave në sistemin tonë online, pasi numërimi është përmbyllur të dielën në mbrëmje”, ka thënë Elezi.
Ndryshe sipas procesimit të rezultateve deri më tash, Lëvizja Vetëvendosje është duke prirë me 25,52%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 24,83%, Partia Demokratike e Kosovës me 21,26% dhe AAK-PSD me 11,54%. /Telegrafi/