Site icon Telegrafi

Von der Leyen refuzoi ta takoi kryeministrin serb pasi ai e kishte mikpritur ministrin rus, reagon Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se kryeministri, Milosh Vuçeviq nuk ka bërë asgjë të papranueshme që të justifikonte anulimin e takimit nga ana e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Vuçiq thekson se, megjithatë, në Bruksel ekziston një shqetësim për takimin e Vuçeviqit me ministrin rus para se të takohej me Von der Leyen, raporton N1.

Në një intervistë për TV Prva, ai u shpreh se Serbia, përmes një politike të jashtme të pavarur, ka arritur të ruajë respektin e presidentit rus, Vladimir Putin, edhe pse nuk mori pjesë në samitin e BRICS në Kazan.

Në këtë samit, Serbia u përfaqësua nga zëvendëskryeministri, Aleksandar Vulin, i cili ndodhet nën sanksionet e SHBA-së.

“Serbia ndjek rrugën evropiane, sepse politika jonë nuk ndryshon brenda natës”, tha Vuçiq, duke shtuar se vendi i tij ruan një marrëdhënie miqësore me Federatën Ruse dhe ka lidhje të forta me Kinën.

Vuçiq shtoi gjithashtu se Serbia është shndërruar në “skenën e një lufte hibride”, ku shërbime të huaja përfshihen në konfliktet në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe Paqësor, me qëllim që të kontrollojnë çdo vend dhe komb.

Ndryshe, Von der Leyen sot po viziton Kosovën ku pritet të takohet me presidenten Vjosa Osmani si dhe kryeministrin, Albin Kurti. /Telegrafi/

Exit mobile version